Auto

Volkswageni ia merr primatin Teslas për shitjet e veturave elektrike në Evropë

Volkswagen

Viti 2025 ka shënuar një kthesë të madhe në tregun evropian të veturave elektrike. Pas disa vitesh dominimi, Tesla ka humbur pozitën udhëheqëse, ndërsa Volkswageni është renditur i pari për nga shitjet e veturave elektrike në Evropë.

Sipas të dhënave të Dataforce, të publikuara nga Autonews, Volkswageni ka shitur 274,417 vetura elektrike në Evropë gjatë vitit 2025, që paraqet një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën periudhë, Tesla ka shënuar rënie të ndjeshme të shitjeve, me 238,765 vetura të shitura, apo 27 për qind më pak se një vit më parë.

Edhe pse Tesla Model Y mbetet vetura elektrike më e shitur në Evropë, me mbi 151 mijë njësi, shitjet e këtij modeli kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2024. Po ashtu, edhe shitjet e Model 3 kanë pësuar rënie.

Avantazhi i Volkswagenit lidhet me gamën më të gjerë të modeleve elektrike, si ID.4, ID.3 dhe ID.7, të cilat kanë shënuar rritje të ndjeshme të shitjeve gjatë vitit të kaluar.

Përveç veturave elektrike, Volkswageni ka kryesuar edhe në shitjen e veturave hibride plug-in në Evropë, duke lënë pas konkurrentë si BMW dhe Mercedes-Benz.