Auto

Volvo tërhiqet nga plani për të shitur vetëm vetura elektrike deri në vitin 2030

Volvo

Kompania e veturave Volvo ka njoftuar se është tërhequr nga plani për të prodhuar vetëm vetura elektrike deri në vitin 2030, duke thënë se tani pret që do të shesë edhe disa automjete hibride deri në atë datë, shkruan BBC të enjten.

Prodhuesi i veturave fajësoi ndryshimin e kushteve të tregut për vendimin për të hequr dorë nga një objektiv që e kishte njoftuar vetëm tre vjet më parë.

Vendimi i Volvos vjen ndërsa industria e veturave elektrike ka pasur ulje të kërkesave në tregjet kryesore dhe pasiguri për shkak të vendosjes së tarifave tregtare për veturat elektrike të prodhuara në Kinë.

Volvo, që tradicionalisht ka shfaqur kujdes ndaj mjedisit, i bashkohet prodhuesve të tjerë të mëdhenj të veturave si General Motors dhe Ford, të cilët gjithashtu janë tërhequr në ambiciet për veturat elektrike.

Volvo tani pret që të paktën 90 për qind e prodhimit të përbëhet nga veturat elektrike dhe hibride plug-in deri në vitin 2030.

Kompania suedeze mund të shesë gjithashtu një numër të vogël të të ashtuquajturave hibride të buta, të cilat janë automjete më konvencionale me asistencë të kufizuar elektrike.

Gjiganti kinez i veturave, Geely, e ka shumicën e pronësisë së Volvos dhe për shkak se përdor fabrika në Kinë, kompania suedeze do të ndikohet nga tarifat për importet e veturave elektrike të prodhimit kinez në Evropë dhe Amerikën e Veriut.