Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Brad Pitt flet për lidhjen me qentë: Kemi tre tani, tufa jonë është e plotësuar

Brad Pitt

Brad Pitt

Foto: Associated Press

Duke prezantuar për herë të parë filmin e tij të ri "Heart of the Beast" në Tenesi, Brad Pitt thotë se e vlerëson "dashurinë e pakushtëzuar" të tre qenve të tij.

"Dita është më e bukur me një qen. Është kaq e thjeshtë. Nuk ka rëndësi sa i vrenjtur je; mjafton të kthehesh dhe ata rrotullohen në shpinë e bëjnë gjëra qesharake. Janë thjesht krijesa të vogla e gazmore, apo jo? Por më shumë se kaq, është dashuria e pakushtëzuar – diçka që ne e mësojmë, apo duhet ta mësojmë prej tyre. Edhe kur futen në telashe për një çast, sapo u jep pak dashuri, ata... janë kaq të pranishëm. E dini, janë thjesht kaq të pranishëm," tha ai.

Pitt së bashku me aktorët e tjerë Anna Lambe dhe J.K. Simmons iu bashkua regjisorit David Ayer për të pozuar me qen të shpëtuar që prisnin të adoptoheshin, gjatë eventit të premierës në Franklin, Tenesi. 

Pitt u shoqërua nga e dashura e tij, Ines de Ramon.

"Kemi tre tani. Kështu që 'tufa' jonë është e plotësuar. Por gjithmonë tundohemi. Ka kaq shumë qen në strehimore dhe ka kaq shumë që eutanazohen çdo vit. Dhe jam i sigurt se do të ketë një kërkesë të shtuar për qen të racës 'German Shepherd'. Shpresoj që njerëzit t'u drejtohen strehimoreve, sepse ka shumë qen të kësaj race që kanë nevojë për shtëpi," tha Pitt.

Në film, Pitt luan rolin e një ish-oficeri të Forcave Speciale, i cili pëson një aksident së bashku me qenin e tij luftarak në zonat e egra të Alaskës dhe duhet të bashkëpunojnë për të gjetur rrugën e kthimit në shtëpi.

"Uber, që luajti rolin e Odinit, ishte më parë një qen kërkim-shpëtimi, ai kishte dalë në pension, por u rikthye për t'u bërë aktor. Ai ishte qeni ynë kryesor, ai që shfaqej më shumë në kamera. Ndërsa të tjerët ishin aty për skenat e rrezikshme ," tha Pitt. 

"Pra, kishim dy të tjerë që përdoreshin për disa nga skenat e vështira. Na u desh të krijonim lidhje me të gjithë ata, ishin të mrekullueshëm dhe ishte një përvojë fantastike. Është thjesht gjë e bukur. Mendojeni pak: e kaloni ditën në pyll dhe krijoni lidhje me një qen. Dakord, na ftohet dhe na laget trupi, por ka mënyra shumë më të këqija për ta kaluar ditën", shtoi ai. 

Filmi "Heart of the Beast" do të shfaqet në kinematë e SHBA-së më 25 shtator.