Prodhuesi japonez i veturave, Toyota, planifikon të investojë 27.1 trilionë rupiah (afro 1.8 miliardë euro) në Indonezi në pesë vitet e ardhshme për të prodhuar automjete elektrike (EV), ka thënë të mërkurën ministria e Ekonomisë e Indonezisë.
Vendi i Azisë Juglindore synon të bëhet një qendër globale për prodhimin dhe eksportimin e EV-ve përmes përpunimit të mineralit të nikelit për përdorim në bateritë e litiumit.
Një varg kompanish të tjera globale kanë njoftuar tashmë investime të mëdha në këtë fushë, duke përfshirë Hyundain e Koresë së Jugut dhe LG Energy Solutions, një njësi e LG Group.
Shefi i Ekonomisë i Indonezisë, Airlangga Hartarto, ka thënë në një deklaratë që Toyota kishte investuar 14 trilion rupiah në vend që nga viti 2019.
Indonezia, e cila ka një popullsi prej 270 milionë banorësh, synon të shesë vetëm vetura elektrike dhe motoçikleta deri në vitin 2050 për të zëvendësuar automjetet me motorë me djegie të brendshme, pasi vendi kërkon të reduktojë emetimet e karbonit.
Vendi ka vendosur një objektiv që të ketë 13 milionë motoçikleta elektrike, dhe 2.2 milionë vetura elektrike në rrugët e tij deri në vitin 2030.
Sipas deklaratës së Ministrisë, Toyota planifikon të prodhojë lloje të ndryshme të automjeteve elektrike hibride në tubacionin e saj gjatë katër viteve të ardhshme.