Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, është ankuar për metodat e vendimmarrjes brenda subjektit politik, ku tha se paralajmërimi për prezantimin e një orientimi qeverisës pa konsultim “shënon pikën më të ulët të demokracisë”.
Murtezaj ka shkruar në Facebook se prezantimet e LDK-së duhet të bëhen nëpërmjet konsultimeve të gjëra dhe miratimit në organet statutare të partisë. Ai ka shtuar se propozimet e Lidhjes Demokratike për qeveri tranzicionale janë ad-hoc dhe joserioze.
“Si një anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh indinjatën time të thellë me medodat e punës të instaluara në majën e vendim-marrjes në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prezantimi i paralajmëruar për nesër i një agjende lidhur me një orientim qeverisës, pa asnjë konsultim, dhe pa asnjë miratim të organeve statutare partiake shënon pikën më të ulët të demokracisë në subjektin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një orientim i tillë politik për Republikën e Kosovës duhet të ndërtohet përmes konsultimeve të gjëra”, ka thënë Murtezaj.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm ka shtuar se autokracia dhe oligarkia s’ka vend në LDK, teksa shtoi që “LDK-ja e Ibrahim Rugovës, e demokracisë së parë në këtë rajon, e heronjve të lirisë, e heronjve të demokracisë, e patriotëve për Kosovën, nuk duhet ta braktisë demokracinë”.
Murtezaj ishte ankuar edhe më parë kur s'ishte përfshirë në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se mospërfshirja ishte e shenjëstruar.