Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyrtari grek sheh potencial në rritjen e shkëmbimit ekonomik me Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm për çështje ekonomike dhe zhvillim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos, ka thënë se Greqia sheh potencial në rritjen e shkëmbimit ekonomik me Kosovën.

Në një takim me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Brachos ka deklaruar se Greqia po kërkon mundësi të thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ekonomik.

Thaçi në anën tjetër u shpreh se “Kosova e çmon qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës dhe përkrahjen që po i jep në organizatat ndërkombëtare”.

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me Greqinë dhe po punojmë që këto të thellohen edhe më tutje”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka mirëpritur edhe marrëveshjen e fundit mes Athinës dhe Shkupit për emrin. Ai vlerësoi se “ky është kontribut për stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit”.

Thaçi e mirëpriti angazhimin e sekretarit Brachos dhe theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon, të cilat do të mundësojnë që vëmendja dhe resurset të përqendrohen në zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik.