Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur të enjten një protestë solidarizuese para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër privatizimit të zonave bregdetare, përfshirë Zvërnecin dhe Sazanin.
Gjatë protestës, përfaqësuesja e kolektivit, Liridona Sijarina, tha se organizata po solidarizohet me qytetarët që po kundërshtojnë projektet që, sipas saj, rrezikojnë tokën dhe natyrën në Shqipëri.
“Sot kemi dalë këtu për të shprehur solidaritetin tonë me protestat në Shqipëri, që janë duke u bërë për të mbrojtur tokën dhe natyrën në Zvërnec, Sazan e përtej”, tha ajo.
Sijarina e ka cilësuar atë si një projekt që synon t’i kalojë pasuritë publike në duart e investitorëve privatë.
“Javët e fundit tashmë gjithë bota u njoftua për marrëveshjen ndërmjet Jared Kushner dhe Edi Ramës. Një marrëveshje kjo e cila synon me ia zaptuar tokën shqiptare e me ia dhënë pasanikëve”, deklaroi ajo.
Edhe
Shqipëria në protestë – Kundërshtime për Sazanin, Zvërnecin dhe pronat në zonën e Kakomesë
Sipas saj, zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, të cilat shpesh janë përshkruar si ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, po përballen me rrezikun e privatizimit dhe shndërrimit në resorte luksoze.
Ajo akuzoi qeverinë shqiptare për favorizim të interesave të kapitalit të madh dhe tha se proceset e privatizimit po cenojnë interesin publik, mjedisin dhe komunitetet lokale.
“Me aminin e Edi Ramës, kjo tokë u shit dhe menjëherë oligarkët filluan brutalizimin ndaj natyrës dhe popullatës vendase, duke grabitur jo vetëm tokat, por edhe mundësinë për jetë në ato zona”, u shpreh Sijarina.
Në fjalimin e saj, ajo e cilësoi kundërshtimin ndaj këtyre projekteve si pjesë të një rezistence më të gjerë kundër modelit neoliberal të zhvillimit dhe kundër, siç tha ajo, “shpronësimit të qytetarëve në favor të një pakice të pasur”.
Sijarina tha se protestuesit në Kosovë e konsiderojnë kauzën e qytetarëve në Shqipëri si të përbashkët dhe shprehën mbështetje për lëvizjet që kundërshtojnë privatizimin e zonave bregdetare dhe pasurive natyrore.
Edhe
“Atdheu nuk është në shitje”, vazhdon në Tiranë protesta për Zvërnecin
“Lufta e tyre është edhe e jona. Qëndrojmë pranë atyre që sot po luftojnë për veten dhe tokat e tyre, për natyrën dhe për jetën”, deklaroi ajo.
Protesta u zhvillua në shenjë solidariteti me demonstratat e mbajtura ditët e fundit në Shqipëri kundër projekteve të zhvillimit turistik në disa prej zonave më të njohura bregdetare të vendit.