Politologu Altin Gjeta ka vlerësuar se protesta për Zvërnecin ka prodhuar një efekt të rëndësishëm politik dhe shoqëror, duke cenuar legjitimitetin e kryeministrit Edi Rama dhe elitës aktuale politike.
Sipas tij, përmasat e mobilizimit qytetar kanë rrëzuar perceptimin për pathyeshmërinë politike të Ramës dhe kanë krijuar një valë reagimi që, sipas tij, do të vazhdojë edhe nëse protestat ndërpriten përkohësisht.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProtestat për Zvërnecin kanë nisur si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinën e Vlorës. Protestuesit dhe aktivistët mjedisorë argumentojnë se projekti rrezikon ekosistemin e zonës, biodiversitetin dhe qasjen publike në bregdet, ndërsa kërkojnë anulimin e projektit dhe mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.
“Kjo protestë e ka goditur shumë legjitimitetin e kryeministrit Rama dhe elitës ekzistuese politike. Jo vetëm për shkak të përmasave, por sepse ka rrëzuar ose ka thyer mitin e pathyeshmërisë së Edi Ramës. Kjo ka krijuar një efekt ortek në shoqërinë shqiptare dhe diasporë dhe jam i bindur se nëse nesër kjo protestë do pushojë, ajo do riaktivizohet pas 2 javësh, 2 muajsh. Është proces i pandalshëm. Nuk ka kthim më prapa... Mendoj që do krijojë një gjendje që do jetë e paqëndrueshme dhe do ta detyrojë Ramën të dorëhiqet. Shqipëria do gjendet në një moment kritik sepse nuk ka konsensus për legjitimitetin e kësaj elite politike”, ka deklaruar Gjeta në Interaktiv.
Ai ka kritikuar edhe deklaratat e Komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me zhvillimet në Shqipëri, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme në rrethanat aktuale politike. Sipas Gjetës, qëndrimi i saj i ka dhënë mbështetje kryeministrit Rama në një moment kur ekziston një reagim i gjerë qytetar kundër qeverisë.
“Ka qenë një deklaratë e komisioneres Marta Kos që ishte skandaloze sepse i ofroi një kamerdare shpëtimi kryeministrit në një moment ku mijëra shqiptarë janë derdhur në sheshet e Tiranës. Komisionerja theksoi se ka marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do zbatohen direktiva të BE-së për raportin mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, ndërkohë që kjo qeveri ka miratuar një ligj që i hap rrugë projekteve të tilla dhe ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për të mundësuar ndërtimin në zona të mbrojtura. Të bësh një deklaratë totalisht të papërgjegjshme në kohë kur kryeministri përballet me një reagim popullor, bazuar në fakte që provojnë që qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura, i ka ofruar në mënyrë preferenciale investitorëve dhe akterëve tjerë që të ndërtojnë në zona të mbrojtura, ka një problem të madh në perceptimin e realitetit të zhvillimeve politike në Shqipëri nga Kos”, ka thënë ai.
Protestat në Shqipëri të martën e 17 qershorit kanë hyrë në ditën e 18-të. Qytetarët zakonisht mblidhen çdo ditë në orën 18:00, e mes thirrjeve për mbrojtjen e zonave, kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Rama.