Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga e mërkura do të jetë pjesë e Qeverisë si zëvendësministër i Mbrojtjes.
Kjo, pasi ai, të enjten e javës së shkuar, u emërua në këtë pozitë njësoj sikur Myzejene Selmani në postin e zëvendësministres në Ministrinë e Bujqësisë, raporton KTV.
Emërimi i tyre u bë në më pak se 24 orë para se Qeveria Haradinaj të jetë në dorëheqje.
Por, Kastrati, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se ndonëse kjo Qeveri mund ta ketë jetën e shkurtër, ai ka shumë për t’i ofruar ministrisë ku do të punojë.
Numrin e madh të zëvendësministrave në kabinetin qeveritar, Kastrati e arsyeton me koalicionin e madh, mirëpo e pranon se ky numër është tejet i lartë.
Por, megjithëse Qeveri në dorëheqje, punën zëvendësministrat e shumtë e këshilltarët e tyre, do ta vazhdojnë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri.
Sipas një analize të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, në 2018-n në 21 kabinete të ministrave kanë qenë të punësuar 350 persona dhe ata buxhetit të shtetit i kanë kushtuar gati 6 milionë euro.
Edhe
Zv.ministri i ri i Mbrojtjes thotë se koha e shkurtër s’është pengesë për të bërë punë të mira
Gjithashtu, sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, të gjithë zëvendësministrat, edhe pas përfundimit të mandatit, do të vazhdojnë të marrin pagën e tyre edhe për 6 muaj tjerë.
Sipas shoqërisë civile, emërimet e tilla dhe rehatimi i militantëve partiakë e familjarëve të zyrtarëve shtetërorë, është abuzim me buxhetin e shtetit.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pati emëruar dhjetëra zëvendësministra në disa ministri, madje, nganjëherë mbi 5 të tillë, duke u arsyetuar se koalicioni ka përbërje të gjerë.