Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zulfaj: Serbisë iu dha statusi kandidat pa e njohur Kosovën, ne po kushtëzohemi

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, e ka cilësuar diskriminues faktin që Serbisë nuk i janë vënë kushte lidhur me Kosovën për të marrë statusin e kandidatit për pranim në Bashkim Evropian, e Kosovës po.

Ai ka deklaruar se ajo se çfarë ka thënë kreu i Qeverisë në konferencën për media pas samitit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup më 22 janar, nuk ka për qëllim moskushtëzimin e njohjes reciproke me Serbinë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është kërkuar të mos kushtëzohet jepja e statusit kandidat për Kosovën.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Zulfaj ka thënë se ndryshe nga Kosova, Serbisë i është dhënë statusi kandidat pa e njohur Kosovën, ndërsa Prishtina zyrtare po kushtëzohet.

“Qëllimi nuk është që të mos kushtëzohet njohja reciproke me anëtarësimin në Bashkimin Evropian sepse ky kusht dihet botërisht që nuk mund të bëhen anëtare të BE-së pa njohjen e njëra-tjetrës as Serbia e as Kosova, pra njohja është kusht kryesore, mirëpo procesi i anëtarësimit me njohjen si akt përfundimtar dallon. Ajo çka kryeministri ka thënë është se procesi, jo akti final, sepse ne tashmë po kushtëzohemi pa u hapur kapitujt, le të ecë procesi, le të jepet statusi kandidat sepse Serbisë i është dhënë statusi kandidat pa e njohur Kosovën, i ka hapur negociatat pa e hapur Kosovën, kurse ne po kushtëzohemi me aktet finale pothuajse me proces ku tashmë vendet tjera kanë ecur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ndikimi që ka fqinji verior në ecjen e Kosovës drejt anëtarësimit në BE nuk është i drejtë.

“Fakti që e kemi një fqinj verior që nuk është demokratik dhe aktet e këtij vendi po ndikojnë në ecjen tonë drejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian nuk është e drejtë. Ka shumë kapituj që nuk janë të lidhura fare me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne do të bënim progres në këta kapituj dhe do t’i mbyllnim më shpejt. Proceset e anëtarësimit kanë qenë të bllokuara vazhdimisht. Tani si mund të kushtëzohet Kosova kur Serbia edhe nuk dëshiron të hyjë në BE, ndërkohë që ne duam të anëtarësohemi. Kemi të bëjmë me një shtet që nuk i do as vlerat e Bashkimit Evropian, por as vetë Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.

Edhe Zulfaj kërkon më shumë seriozitet nga BE-ja në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt saj Arbëri Zulfaj kërkon më shumë seriozitet nga BE-ja në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt saj

Zulfaj ka shtuar se kritika që Kurti i bën qasjes së BE-së ka qëllim përmirësimin.

“Nuk është hera e parë që kryeministri kritikon qasjen e Bashkimit Evropian. Kritikën e kemi për përmirësim. Kushtëzimet që nuk kanë vlerë, nuk kanë as efekt. Nuk kemi kërkuar shkëputje të aktit final të dialogut, mirëpo aspekti vleror i saj është përbrenda. Derisa ne ta marrim anëtarësimin duhet të tregojmë vullnet në dialog”, ka theksuar ai.