Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ZPS-ja kërkon që Hashim Thaçit e Kadri Veselit t’i vazhdohet paraburgimi

Ish-presidenti Hashim Thaçi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar të mërkurën që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, paraburgimi i Thaçit dhe Veselit është arsyetuar në baza të shumëfishta në mënyrë të përsëritur nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria ka thënë se caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Thaçit e Veselit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tyre, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor, të vitit 2020.

Artikuj të ngjashëm