Me anë të vendimit të marrë me 26 maj 2021, por të publikuar në qershor, ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte, i është refuzuar lirimi nga masa e paraburgimit. Propozimin për lirim në arrest shtëpiak apo në një shtet të tretë ia ka refuzuar edhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se pavarësisht nga faktorët kundërbalancues të identifikuar në Vendimin e Parë të Paraburgimit, rreziku i arratisjes në lidhje me Veselin vazhdon të ekzistojë.
“Duke kujtuar se masat mbrojtëse të vendosura nuk janë plotësisht të mjaftueshme për të zbutur rrezikun e pengimit, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, e cila, madje, ndonëse jo përcaktuese në vetvete, ofron kontekstin kundër të cilit duhet të merren parasysh gjetjet që i përkasin veçanërisht Veselit”, thuhet në këtë vendim.
Gjyqtari i procedurës paraprake po ashtu ka konstatuar se as kushtet e propozuara tashmë dhe asnjë kusht tjetër i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk do ta zbuste mjaftueshëm rrezikun që Veseli të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara apo të kryejë krime të mëtejshme.
Njëjtë është thënë nga gjyqtari i procedurës paraprake edhe për Thaçin që rikujton se paraprakisht është konstatuar se ekziston rreziku që Thaçi të arratiset në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij që rrjedhin nga pozitat e kaluara dhe të fundit që ai ka mbajtur.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Edhe
Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.