Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ZPS: Dëshmitari i 41-të në gjykimin ndaj Thaçit është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 41-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling, u tha se dëshmitari është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitari 04489 është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitari e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

Pas kësaj, prokurori kërkoi që për shkak të natyrës së pyetjeve që kanë dhe duke marrë parasysh masat mbrojtëse për dëshmitarin, të kalojnë në seancë private.

Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues dhe dëshmitari po vazhdon të dëshmojë në seancë të mbyllur për publikun.

Edhe Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët Arbëri Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e tij llogaritet të zgjasë rreth dy ditë.

Sipas tij, ZPS-ja ka paraparë një orë kohë për ta marrë në pyetje dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve 7 orë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Edhe Në seancë të mbyllur, dëshmon dëshmitari i radhës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Arbëri Në seancë të mbyllur, dëshmon dëshmitari i radhës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.