Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zona Ekonomike në Lumadh ngjall interesim për investitorët e diasporën gjermane

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka pritur sot në zyrat e Komunës së Vushtrrisë investitorë të jashtëm gjermanë dhe pjesëtarë të diasporës në Gjermani, të cilët kanë shprehur interesim për zonën ekonomike në Lumadh.

Tahiri i informoi mysafirët për licencimin e Zonës ekonomike në Lumadh si dhe theksoi se kjo zonë është me interes strategjik për Komunën ndërsa “ne jemi të interesuar që të kemi në të biznese që krijojnë vende të reja të punës për të rinjtë e Komunës së Vushtrrisë, që rrisin prodhimin dhe eksportin”.

Investitorët potencialë gjermanë, të shoqëruar nga pjesëtarë të diasporës në Gjermani e që kanë themeluar tashmë biznes në Kosovë, prezantuan profilin e kompanisë gjermane, produktet dhe tregun e kësaj kompanie si dhe interesimin që kjo kompani të vendoset në zonën ekonomike që po krijohet në Vushtrri.

“Zona Ekonomike në Lumadh po zgjon interesim të madh tek kompanitë e ndryshme vendore e ndërkombëtare. Shumë shpejtë pritet të fillojnë investimet në infrastrukturë në zonën ekonomike ndërsa në muajt në vijim do të bëhet thirrja publike për vendosje të bizneseve në të”, tha Komuna e Vushtrrisë.