Ministria e Infrastrukturës në kundërshtim me rregullat e prokurimit ka tejkaluar vlerat për njësi duke aplikuar tavanin plus-minus 30 për qind për pozicione, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit. E në 10 kontrata të tjera, po ashtu në kundërshtim me ligjin, u ndryshua sasia e kontraktuar. ZKA-ja thotë se problemet në këtë dikaster po përsëritën. Ministria është pajtuar me gjetjet.
Shkelje në tenderët për mirëmbajtje të rrugëve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke dëmtuar buxhetin prej 1 milion e 300 mijë eurosh, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas ZKA-së, ky dikaster qeveritar në kundërshtim me rregullat e prokurimit tejkaloi pagesat për njësi duke aplikuar tavanin plus-minus prej 30 për qind në pozicione, ani se për këto kontrata nuk vlen kjo rregull.
“Në 13 raste kemi identifikuar se Ministria ka përdorur kontrata publike kornizë me çmimin për njësi duke specifikuar edhe sasitë indikative/vlerën e parashikuar për një vit, dhe me gjithë rregullat, ka aplikuar pragun apo tavanin plus/minus tridhjetë për qind (30%) në pozicione. Kjo ka rezultuar me tejkalim të vlerës së këtyre pozicioneve nga dy (2) pozicione deri në 58 pozicione me vlerë të përbashkët 1,326,027€, prej tyre në pesë (5) raste ishte tejkaluar edhe vlera e parashikuar e kontratave për një vit", thuhet nga ZKA.
Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të duhur të kontrolleve nga menaxherët e kontratës lidhur me pajtueshmërinë ligjore gjatë realizimit të kontratave.
ZKA-ja po ashtu ka evidentuar se në 10 kontrata ka pasur ndryshim të sasive të kontraktuara.
“Kemi evidentuar dhjetë (10) kontrata në të cilat kishte pasur ndryshime të sasive të kontraktuara duke rritur/zvogëluar sasinë e realizuar, por pa rritur çmimin total të kontratës. Ndryshimet ishin prej një (1) deri në 49 pozicione apo në vlerë prej 5,684€ deri në 429,011€. Vlen të theksohet se në tre (3) prej tyre tejkalimet ishin për pozicionet të cilat ishin të anekskontratës. Për këto ndryshime nuk ishin marrë aprovimet e nevojshme nga ZKA-ja”, thuhet tutje.
Përveç shkeljeve në prokurim, ZKA-ja ka evidentuar edhe vonesa në punime në 7 projekte rrugore, duke përfshirë edhe vonesat në projektin “Dollc -Gjakovë”
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se problemet e evidentuara në këtë ministri janë të përsëritura.
“Te Ministria e Infrastrukturës janë 13 rekomandime të cilat janë të përsëritura, që tregon jo progres sa i përket menaxhimit të financave publike. Opinioni për këtë ministri është i kualifikuar, që do të thotë nuk është opinion i mirë”, ka deklaruar Spanca.
Ashtu si në vitet e kaluara, edhe gjatë 2024=s ZKA-ja evidentoi mangësi në pagesat për shpronësime.
Sipas raportit, në 4 rast në vlerë mbi 1 milion euro kishte vonesa prej 11 muajve deri në 13 vjet pas datës së vendimit përfundimtar.
Një shkelje e përsëritur nga kjo ministri është mungesa e evidencave për vijueshmëri në punë.
Ky dikaster qeveritar, ashtu si edhe të tjerët, nuk e ka rregulluar çështjen e stafit prej 62 personave nga komuniteti serb, të cilët paguhen pa vijuar punën. Buxheti i shpenzuar për ta për vitin 2024 ishte mbi 465 mijë euro.
Kjo ministri është pajtuar me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.