Arbëri

ZKA: Çereku i konsumatorëve të KRU “Prishtina” furnizohen pa pasur kontrata

Një në katër konsumatorë që furnizohen me ujë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” nuk kanë kontratë për ta marrë shërbimin, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit. Gjatë auditimit të jashtëm është evidentuar edhe fakti se kjo ndërmarrje ka faturuar konsumatorë edhe pa ua instaluar ujëmatësit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” nuk ka lidhur kontrata me të gjithë konsumatorët që marrin shërbime prej saj.

Bazuar në raportin e ZKA-së, çereku i konsumatorëve furnizohen me ujë pa pasur kontratë.

“Sipas të dhënave nga regjistri i konsumatorëve, më 31.12.2024 ndërmarrja ofroi shërbime për 198.012 konsumatorë, ndërsa deri në fund të vitit kishte lidhur kontrata me 149.984 konsumatorë, që e përfaqëson 76 për qind të totalit. Moslidhja e kontratave me konsumatorët për shërbimet e ofruara e pamundëson aplikimin e masave ligjore ndaj tyre në rast të mospagesës së borxhit”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e konsumatorëve dhe i veprimeve të pamjaftueshme të ndërmarrjes.

ZKA-ja ka evidentuar po ashtu se gjatë vitit 2024, KRU “Prishtina” i ka faturuar 202 konsumatorë për shërbime të ujit pa pasur të instaluar ujëmatës. E borxhi i akumuluar nga këta konsumatorë ka qenë 468 mijë e 745 euro.

Auditorët kanë gjetur parregullsi edhe në marrëveshjen për financimin e projekteve kapitale, të cilat ndërmarrja i ka lidhur me Ministrinë e Ekonomisë.

“Ndërmarrja i kishte përmbushur kriteret për përfitimin e 774.820 eurove, që e përfaqëson 46 për qind të vlerës së financimit. Ndërkohë, 622.820 euro nuk ishin realizuar, kryesisht për shkak të zgjatjeve në procedurat e prokurimit, si rezultat i ankesave dhe shqyrtimit të tyre nga OSHP-ja, si dhe mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga operatorët ekonomikë, çka ka rezultuar në shkëputjen e kontratave”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi edhe në faturimin e grumbulluar si pasojë e mosleximit periodik të ujëmatësve.

Kjo ndërmarrje nuk është pajtuar me të gjitha gjetjet e Auditorit.