Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarrfikësit të harruar nga shteti, pa status e me kushte të rënda të punës

Pa status të zgjidhur e me kushte të vështira të punës po vazhdojnë të përballen zjarrfikësit në Kosovë. Janë bërë mbi 10 vite prej kur Shërbimi i Zjarrfikëse dhe Shpëtimit ka kaluar nga niveli lokal nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Megjithatë, ata pagat vazhdojnë t’i marrin ende nga komunat.

Kjo ka ndikuar që zjarrfikësit të mos e kenë një adresë të saktë se ku t’i drejtojnë kërkesat dhe kujt t’i kërkojnë llogari, pasi nga përgjigja po ikin si komunat ashtu edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Behar Shala, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se janë të harruar nga institucionet e Kosovës, pasi askush nuk merret me përmirësimin e kushteve të tyre të punës.

“Po e llogarisim vetën që jemi gati sikur në harresë, do të thotë ne përmendemi vetëm kur kemi intervenime e në raste të tjera pak e hiç përmendemi, kurse ne ekzistojmë 24 orë në këtë objekt, jemi çdo kund ku ka stacion nëpër komuna të Kosovës, do të thotë zjarrfikësi kujdestaron 24 orë pa dallim feste, pa dallim kohe ose kohën e pandemisë. Kështu që, gjithmonë zjarrfikësi është në shërbim të popullit, aty ku ka nevojë dhe aty ku kërkohet nevoja jonë për t’i ndihmuar dikujt”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Kritika për institucionet që për kaq shumë vite nuk i kanë dhënë zgjidhje statusit të zjarrfikësve adresoi edhe Latif Zeka, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

Edhe Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Beka: Kërkesat e kahershme të paplotësuara Arbëri Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Beka: Kërkesat e kahershme të paplotësuara

“Veç po bëhen 10 vite që është problemi i statusit të zjarrfikësve në përgjithësi në krejt Kosovën. Faktikisht jemi punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa investimet dhe pagat, si dhe shpenzimet tjera janë prej komunës…Shumë është një problem i madh, po unë shpresoj, çdo herë kam shpresuar që do të zgjidhet, problemi është statusi se nuk din njeriu kah e bënë kërkesën, a në Agjencion apo nëpër komuna”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Për problemet e zjarrfikësve që kanë ardhur si pasojë e mospasjes së një punëdhënësi të vetëm, në emisionin “Betimi për Drejtësi” foli edhe kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.

“Problemi i Shërbimit të Zjarrfikës dhe Shpëtimit vazhdon në një periudhë bukur të gjatë. Janë probleme të akumuluara me vite dhe fatkeqësisht edhe ky fillimvit Shërbimin e Zjarrfikëse dhe Shpëtimit po e gjen me po të njëjtat probleme. Problemi kryesor është mos definimim i statusit juridik, mos definimi i kompetencave menaxhuese dhe aty tash ngërthehen edhe çështje të tjera si planifikimi i buxhetit që zjarrfikësit janë pa vijë buxhetore të planifikuar”, ka thënë Beka

Sipas tij, ata kanë mbetur as me Ministrinë e Punëve të Brendshme as me komuna.

“Do të thotë zjarrfikësit nuk e kanë një përkujdesje institucionale, një punëdhënës i cili përkujdeset dhe angazhohet që t’i kryejë obligimet sipas akt-emërimit ose kontratës së punës dhe sipas ligjeve në fuqi. Këto janë probleme që janë krijuar mes pushtetit lokal dhe nivelit qendror, një dualizëm, një gjendje e pakuptimtë dhe të gjitha këto bien në kurriz të zjarrfikësve. Do të thotë pa investime, edhe sa i përket çështjes së pajisjeve dhe të ruajtjes së shëndetit të të punësuarve, do të thotë mos aplikimi i ligjeve në fuqi, nuk kemi mbetur as shërbyes civil as punonjës publik. Këto janë problemet kryesore”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Edhe Zjarrfikësit pa status të definuar Arbëri Zjarrfikësit pa status të definuar

Për më shumë ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, mbi statusin e zjarrfikësve në Kosovë.