Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve ka thënë se 4 maji, Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, e gjen këtë kategori në gjendje shumë të rëndë në të gjitha aspektet. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë ndryshim me vite të tëra, pavarësisht premtimeve që kanë marrë nga institucionet.
Sipas Bekës, institucionet janë fajtorët kryesorë për këtë gjendje të zjarrfikësve.
“Kjo ditë i gjen zjarrfikësit në një gjendje jo të mirë, pa ndryshime me vite të tëra. Është një situatë e pakuptimtë, një dualizëm mes nivelit lokal e qendror. Zjarrfikësit janë pa status të zgjedhur, me kushte të dobëta të punës, pa sigurime shëndetësore, pa kontrolla sistematike, le të themi me një mal probleme. Të gjithë janë të informuar për këtë gjendje, por po mungojnë hapat konkretë, po mungon vendosmëria nga institucionet për përmirësimin e gjendjes. Deri në vitin 2003, zjarrfikësit janë menaxhuar Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave, pastaj kemi kaluar në nivele komunale. Në gjendje të rëndë siç ishim atëherë, iu drejtuam Qeverisë që të analizohet gjendja dhe të përmirësohen kushtet e punës, dhe aty morëm premtimin se zjarrfikësit do të integroheshin në Ministrinë e Brendshme. Është bërë Ligji për Zjarrfikësit, disa rregullore u bën, por kur erdhi puna te buxheti, ne u transferuam në nivel qendror, mirëpo buxheti mbeti në nivel komunal, siç thashë edhe më herët dualizëm mes këtyre niveleve. Ne marrim rrogat nga komuna, por jemi staf i Ministrisë. Mbetëm pa investime, pa buxhet, pa përkujdesje institucionale”, ka thënë Beka në emisionin “SOT” të KTV-së.
Beka ka treguar se zjarrfikësit, përveç pagës, nuk gëzojnë asnjë kontribut tjetër, as kur punojnë me orar shtesë apo kur janë në kujdestari.
“Ne kemi vetëm pagat, zjarrfikësit nuk gëzojnë asnjë kontribut tjetër, as kur punojmë në kujdestari. Kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë te zjarrfikësit. Jo të trajtuar dinjitetshëm, të denigruar. Zjarrfikësit janë i vetmi shërbim që nuk ka gradime sipas funksionit. Paga e një zjarrfikësi është më e ulëta. Nuk merret parasysh rrezikimi i jetës. Por ne nuk jemi ndalur asnjëherë, kemi kryer shërbimet. Jemi takuar sivjet me ministrin e Financave dhe kemi marrë premtim që do të rregullohet çështja e statusit të zjarrfikësve, por jemi në maj dhe ende nuk ka diçka të re. Është momenti i fundit që institucionet e Kosovës t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të kenë një qasje krejt tjetër, e jo t’ia lënë fajin njëra-tjetrës”.
Beka tutje u shpreh se një tjetër sfidë për zjarrfikësit është numri i vogël i tyre. Sipas tij, në të gjithë Kosovë janë vetëm 760 zjarrfikës dhe mosha mesatare e tyre është rreth 49 vjet.