Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarrfikësit ankohen për diskriminim: Në veri paguhen shtesat

Muharrem Beka nga Shoqata e Zjarrfikësve është ankuar se zjarrfikësit në komunat e tjera po diskriminohen nga ata në veri që janë të punësuar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, Agjencia e Menaxhimit Emergjent po i kompenson serbët që punojnë si zjarrfikës në veri, ndërsa në komunat shqiptare, zjarrfikësit po diskriminohen.

Zjarrfikësit kanë paralajmëruar protestë ditëve në vijim, duke kërkuar përmirësim të kushteve, që Beka i ka quajtur “shumë të rënda”. Po kërkojnë shtesat e rrezikshmërisë, sigurime shëndetësore, kompensimin për ndërrime të natës.

“Të njëjtat struktura, në njësitin në veri, zjarrfikësit në veri të komunitetit serb që janë punësuar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, i kryhen të gjitha obligimet nga AME-ja. Ata që kanë mbetur në komuna të tjera, të njëjtit njësi janë, këta diskriminohen, ata [serbët] kompensohen”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Kulmi i pakënaqësisë së zjarrfikësve që i ka detyruar të organizojnë protestë, sipas Bekës, është vendimi i Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë së policëve, por jo edhe të zjarrfikësve.

“Iu kemi drejtuar Qeverisë, që gjendja e tanishme të zgjidhet. Për shkak të mospërgjigjes ndaj kërkesave tona, atëherë zjarrfikësit janë të indinjuar, të zhgënjyer dhe duan të organizojnë protestë. Kërkojmë të plotësohen kushtet minimale. Jemi në gjendje alarmante. Jemi pa status të zgjedhur, pa vijë të rregullt buxhetore, pa sigurime shëndetësore, pa kompensim të ndërrimeve të natës e së fundmi edhe të rrezikshmërisë. Ju kemi dhënë kohë dhe hapësirë, por s’ka pasur reagim”, ka thënë Beka.

Ai ka theksuar se edhe në vitin 2021 kishin paralajmëruar protestë, por kishin marrë zotim nga Qeveria se çështja e tyre do të zgjidhej. Por, Beka thotë se jo vetëm që problemet nuk u zgjidhen, por në shkurt, ekzekutivi vendosi t’ua heqë zjarrfikësve edhe shtesat e rrezikshmërisë, të cilin ai e konsideron si “vendim të pamatur dhe të paanalizuar mirë”.

Beka ka thënë se pak zjarrfikës e presin moshën e pensionimit për shkak të natyrës së rëndë të punës.

Edhe Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Beka: Kërkesat e kahershme të paplotësuara Arbëri Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Beka: Kërkesat e kahershme të paplotësuara

“Dhe ky kontribut i tyre është duke u neglizhuar nga institucionet. Vështirë se një zjarrfikës mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme me këto të ardhura”, ka shtuar ai.

Mosha mesatare te zjarrfikësit, siç thotë Beka, është 55 vjeç.

“Në vendet e rajonit dhe në botë, zjarrfikësit në moshën 55-vjeçare pensionohen. Mandej, kemi nevojë për zjarrfikës të rinj”, ka thënë Beka.