Arbëri

Zjarr i madh në Kçiq të Mitrovicës - digjen tri shtëpi, evakuohen banorët

Tri shtëpi, tokë bujqësore dhe pyje të fshatit Kçiq i Madh janë përfshirë nga flakët, që ka nisur të dielën e që ndërkohë janë shtrirë edhe në Kçiq të Vogël, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në shuarjen e zjarrit menjëherë janë angazhuar zjarrfikësit dhe Policia. E në ndihmë atyre të hënën në mëngjes u kanë ardhur edhe pjesëtarët e FSK-së dhe të KFOR-it. Përfaqësues të fshatit ngrenë dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme

Dy fshatrave të Komunës së Mitrovicës u janë shkaktuar dëme të mëdha materiale nga flakët shkatërruese që janë shfaqur të dielën dhe kanë vazhduar të përhapen edhe të hënën, me gjithë angazhimin e disa ekipeve për shuarjen e tyre.

Zjarri që ka përfshirë zona të gjera në Kçiq të Madh dhe Kçiq të Vogël ka përfshirë fusha, pyje dhe tri shtëpi të banuara. Disa nga banorët e zonës janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zjarri të dielën ka nisur “marshimin” në periferi të fshatit Kçiq i Madh dhe është përhapur me shpejtësi në drejtim të Kçiqit të Vogël. Zjarrfikësit lokalë kanë bërë përpjekje të mëdha për të vënë nën kontroll situatën, por përhapja e shpejtë e zjarrit e ka bërë të pamundur shuarjen e menjëhershme të vatrave.

KFOR-i dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë angazhuar që të hënën në mëngjes për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.

Fatmir Salihu, kryetari i fshatit Kçiq, shprehu shqetësimin e madh të banorëve, të cilët janë detyruar të evakuojnë fëmijët dhe gratë nga shtëpitë e tyre për shkak të afërsisë së flakëve.

“Kanë qenë shumë të frikësuar, disa banorë kanë bërë edhe evakuimin e fëmijëve dhe dokumenteve. Jam i emocionuar, më vjen keq prej tyre, por kaq ka qenë mundësia jonë si fshatarë për t’i ndihmuar. Zjarrvënia ka qenë shumë e madhe, diku rreth 5 kilometra në vijë. Kur e kanë parë banorët, nga frika i kanë larguar edhe fëmijët, edhe bagëtinë. Gratë janë larguar, ndërsa ne burrat kemi qëndruar për të ndihmuar aq sa kemi mundur”, ka thënë Salihu.

Salihu është ankuar për mungesë të mjeteve për shuarjen e zjarreve teksa ka thënë se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

“Ka pasur zjarrvënie të qëllimshme..., nga faktori njeri. Edhe pse kemi pasur ndihmë nga komuna dhe zjarrfikësit, ka qenë emergjencë. Për ta ndalur më herët, do të duheshin mjete të tjera, jo vetëm ato të pakta që i ka Njësia e zjarrfikësve të Mitrovicës apo e regjionit”, tha ai.

Për ta parë nga afër gjendjen, gjatë ditës së hënë në vendngjarje ka dalë edhe kryetari i Komunës, Bedri Hamza. 

Ai ka treguar se KFOR-i u ka ndalë në ndihmë mëngjesin e së hënës dhe tash situata është nën kontroll.

“Është një hapësirë shumë e madhe e përfshirë. Rreziqet janë evidente, janë djegur shtëpi, fatmirësisht nuk ka banorë të lënduar nga zjarri. Për momentin e kemi nën kontroll, por ka ende vatra aktive. Jemi në kujdestari të plotë për t’u dalë në ndihmë banorëve dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll”, tha Hamza.

Genc Metaj, nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent, njoftoi se gjatë të hënës janë raportuar 38 zjarre në mbarë Kosovën, nga të cilat 22 ende janë aktive.

“Ka zjarre në të gjithë Kosovën, ashtu siç janë paraqitur edhe në raport. Nga KFOR-i kemi pranuar ndihmë në Kçiq, por shumë pak. Situata në nivel vendi aktualisht është shumë e rënduar”, tha Metaj.

Përveç Mitrovicës, edhe komuna të tjera si Ferizaj, Skenderaj, Vushtrria dhe Lipjani kanë raportuar për vatra zjarre që kanë djegur hektarë të tërë pyjesh dhe toka bujqësore.

Autoritetet po bëjnë apel për kujdes maksimal nga qytetarët, ndërsa hetimet për shkaqet e mundshme të zjarrvënieve të qëllimshme janë në vazhdim.