Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka folur për marrëdhëniet në mes të shtetit që përfaqëson dhe Kosovës.
Ajo ka thënë se është e lumtur që Kosova dhe Izraeli festojnë dyvjetorin vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ajo ka theksuar se marrëdhëniet në mes të dy vendeve për këto dy vite kanë shkuar përpara në formë domethënëse, derisa ka theksuar se shpreson që këtë vit do të realizohet edhe një vizitë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Izrael.
“Kemi nënshkruar disa marrëveshje mes dy shteteve tona, në fushat e edukimit, pastaj të kulturës, të arkivave e të tjera dhe, natyrisht, jemi të interesuar për të vazhduar këtë trend. Shpresojmë që viti 2023 do të sjellë një vizitë presidenciale në Izrael dhe vizita shtesë nga ministra. Pra, praktikisht, mendoj që për dy vjet të marrëdhënieve kemi bërë mjaft në fusha të ndryshme dhe jemi shumë të lumtur dhe falënderues për këtë marrëdhënie”, është shprehur Ziv.
Sipas saj fusha e ekonomisë është ajo ku të dyja vendet mund të zhvillojnë tutje bashkëpunimin.
“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, të kemi kompani që punojnë me kompani, të lehtësojmë vizita, ndërveprime, etj. Mendoj që kjo është tejet e rëndësishme, sepse mendoj që ndër vite vendet tona nuk e kanë njohur njëra-tjetrën aq mirë nga këndvështrimi ekonomik. Dhe, nuk ka shumë afarizëm momentalisht”, ka deklaruar Ziv.
Ajo gjithashtu ka thënë se janë duke planifikuar disa trajnime për mjekë dhe infermierë në Kosovë.
Edhe
Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, ambasadorja izraelite: S’ka asgjë konkrete
“Mendoj që kujdesi shëndetësor është fushë tejet e rëndësishme në të cilën mund të punojmë së bashku. Siç e përmenda më herët, mendoj se Izraeli, për shkak të nevojës, për shkak se është shtet në shkretëtirë, shumë i thatë, pothuajse fare pa ujë, Izraeli ka zhvilluar një ekspertizë në bujqësi duke prodhuar më tepër me më pak ... Kemi edukatorë, mësues dhe njerëz nga fusha e edukimit, të cilët po bëjnë kurse në Izrael dhe po kthehen këtu për të ndarë përvojat e tyre me njerëzit këtu. Kemi bërë kurse edhe në fushën e shëndetësisë, të mjekësisë urgjente, në fushën e dhunës me bazë gjinore e kështu me radhë”, ka deklaruar Ziv.
Ajo gjithashtu ka theksuar se është shumë e lumtur që më 25 mars do të mirëpresim ekipin futbollistik të Kosovës, në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2024.