Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, ambasadorja izraelite: S’ka asgjë konkrete

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka thënë se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael, si në aspektin kulturor e ekonomik.

Ziv ka shtuar se ekziston edhe interesimi për fluturime direkte dhe se po punohet në këtë drejtim.

“Mendoj që definitivisht do të rrisë marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve, duke e bërë udhëtimin më të lehtë. Mendoj që do të rrisë marrëdhëniet kulturore mes dy shteteve, sepse njerëzit do të mund të shkojnë e vijnë. Turizmi është një komponent veçanërisht i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve, dhe shpresojmë të shohim shumë më shumë turistë kosovarë në Izrael, dhe turistë izraelitë në Kosovë. Në thelb, kjo mundëson marrëdhëniet mes njerëzve, kjo mundëson takime më të lehta të njerëzve me njëri-tjetrin. Dhe kjo është ajo që ne duam kur vendosim marrëdhëniet mes shteteve, që njerëzit të ndërveprojnë dhe secili të gjejë fushën e vet, fusha të bashkëpunimit”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta”.

E, sa i përket mbështetjes ose jo të Izraelit për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të Kosovës, Ziv nuk e ka dhënë një qëndrim të prerë.

“E kam thënë më shumë se një herë se kur do të ketë diçka konkrete me kënaqësi do ta diskutojmë me ju”, ka deklaruar ajo.

Edhe Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Si e portretizon OKB-ja luftën në Gaza është krejtësisht e anshme Arbëri Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Si e portretizon OKB-ja luftën në Gaza është krejtësisht e anshme

Ziv është shprehur tutje se ka hapësirë për t’u bërë më shumë në marrëdhëniet ekonomike mes të dyja shteteve.

“Mendoj që të vazhdojmë të rrisim marrëdhëniet. Në fushat të cilat i përmenda, mendoj që ka shumë çka të bëhet në ekonomi, t’i bëjmë bashkë njerëzit nga fusha e biznesit. Dy ekonomitë nuk njohin njëra-tjetrën sa duhet. Komuniteti izraelit nuk di mjaftueshëm për potencialin e Kosovës, dhe mendoj që komunitetit kosovar i biznesit nuk di mjaftueshëm për bizneset izraelite. Tashmë ka qenë dy delegacione të bizneseve kosovare në Izrael gjatë 3 vjetëve të kaluar, jemi të interesuar të sjellim delegacionet izraelite të bizneseve këtu”, ka theksuar ajo.