Filozofi dhe profesori Sead Zimeri deklaroi të mërkurën në emisionin “Sonte me Rronin” se në rrafshin filozofik, Serbia duhet të pësojë çlirim nga varësia ndaj shtetit të Kosovës, në mënyrë që sipas tij, të ketë hapje demokratike mes dy popujve.
Ai tha se liria nuk mund të jetësohet pa pasur reciprocitet mes vendeve, në mënyrë që demokratizimi të jetë i mirëqenë.
“Fatmirësisht që Kosova ka Shqipërinë, përmes Shqipërisë, disa gjëra Kosova i kompenson. Serbia do të çlirohej nga njohja e Kosovës. Liria nuk arrihet pa reciprocitet, as serbi s’mund të jetë i lirë, e as shqiptari, derisa nuk e njohin njëri-tjetrin. E vetmja mënyrë e ekzistencës është mirënjohja reciproke”, tha ai.
Sipas Zimerit, Serbia po e kushtëzon lirinë e Kosovës, por që pasi Kosova është e njohur nga pothuajse të gjitha shtetet përreth, siç tha ai, Kosova është në një situatë më të favorshme.
“Nuk ekzistojnë lëvizje të mëdha në Serbi që e theksojnë rolin e lirisë për serbët. Ata duhet të çlirohen nga varësia që kanë krijuar prej Kosovës. Liria e parë është e vullnetit të lirë. Njeriu mund të marrë zgjedhje për jetën e tij kur është i lirë, edhe nëse është në burg. Në kuptimin politik, liria si pavarësi, është liri si autonomi. I pavarur nga dëshirat dhe burimet heteronome të zgjidhjes. Liria në të cilën je si qenie e lirë, ka kuptim vetëm në komunitet. Liria kufizohet, minimizohet, rritet, varësisht nga kushtet e jashtme”, u shpreh ai.
Sipas profesorit të filozofisë, serbët vetëm po e fantazojnë lirinë, pasi sipas tij, Kosova ka krijuar një lloj pushteti që ua determinon perceptimin vendeve tjera.
Edhe Pse nuk u pavarësua SerbiaZimeri u shpreh se protestat e grave në Iran kundër mbajtjes së shamisë, janë kërkesë për liri dhe të drejta.
“Në Iran po ndodh ajo që është dashur të ndodhte gjithmonë. Populli u mobilizua në 1979 për të vetmin ideal, për lirinë. Ata u mobilizuan sepse ishin nën diktaturën e Shah Mohammad Reza Pahlavi. Erdhi një kohë kur thanë se mjaft është mjaft. Shamia filloi të funksiononte si simbol i rezistencës për lirinë. Gratë asnjëherë nuk janë nënshtruar plotësisht regjimit islamik të Iranit. Lëvizja e feminizmit islamik nisi në Iran. Elementet kyç iu bënë liria, barazia. Ky simbol por edhe rezistenca e grave u duk kohëve të fundit. Një vajzë e re u rrah e u vra pasi nuk ishte mbuluar ‘siç duhet’. Edhe kjo krijoi një kontekst ku shpërndau revolta dhe ndjenja dhe nisi përsëri nga gratë, që nisën t’i hiqnin mbulesat publikisht, si shenjë proteste. Kjo që po ndodhë sot është fryma e 1979-s, që u mbyt në atë kohë. Ky regjim është bërë më i keq, se ai që e zëvendësoi. Humbësit më të mëdhenj ishin ata që luftuan për lirinë”, tha Zimeri.
Sipas tij, nëse një popull nuk gëzon lirinë dhe barazinë, asnjë tjetër nuk mund ta ketë lirinë e mirëqenë. Duke krahasuar popujt e Izraelit dhe të Palestinës, Zimeri u shpreh se nëse palestinezët nuk jetojnë të lirë, as izraelitët nuk mund ta përjetojnë lirinë.