Fejton - KOHA Ditore, 7 janar 2008

Kosova po ndahet - a ka kush skenar ta pengojë ndarjen dhe luftën

Kosova po ndahet - a ka kush skenar ta pengojë ndarjen dhe luftën

Shikim nga Brukseli (KOHA Ditore, 7 janar 2008)

Është e çuditshme se askush, as në Bruksel e as në Prishtinë, nuk po e kupton se çfarë mendojnë liderët në Beograd (pa dallim partish) kur thonë se “serbët e Kosovës kanë vendosur të jetojnë në Serbi“. Kështu thoshte regjimi i Milosheviqit kur u pavarësuan Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina se “serbët duan të jetojnë në një shtet e të mos i njohin këto krijesa artificiale”. Kjo solli luftë të përgjakshme

Bruksel, 6 janar 2008 - Ka më shumë se dy muaj qëkur politikanët e Serbisë, nga kryeministri Koshtuncia, ministri i Jashtëm Jeremiq e shumë këshilltarë dhe zyrtarë të tjerë, në pyetjet rreth ndarjes së Kosovës përgjigjen se “serbët e Kosovës kanë vendosur se do të jetojnë në Serbi dhe nuk do të kenë lidhje me një krijesë të tillë siç mund të jetë Kosova që shpall pavarësi të njëanshme“. Është për t’u habitur se si këto deklarata nuk janë kuptuar si duhet dhe hasin në heshtje si nga Prishtina ashtu edhe nga Brukseli. Nuk mund të ketë konfirmim më të mirë se Beogradi, jo vetëm se po punon, por edhe po e realizon konceptin e ndarjes së Kosovës. Ky koncept përsëri kërcënon me hapje të konflikteve të reja në rajon, sepse në rast të ndarjes së Kosovës, qarqet ekstremiste në vendet e ndryshme në Ballkan, nuk do të besojnë më se nuk mund të ketë ndarje të kufijve.

Në politikën e Beogradit nuk ka ndonjë zbulim të ri apo ndonjë qasje të re politike. Edhe retorika edhe sjellja e politikanëve është e njëjtë sikur në fund të shekullit të kaluar. Përsëri refuzohet çdo propozim, përsëri Beogradi sheh konspiracion të botës perëndimore (madje edhe duke e lidhur me qëndrimet e vjetra të Perandorisë Austro-Hungareze) kundër popullit serb. Dhe përsëri, sikur vepronin në fund të shekullit të kaluar kur pavarësoheshin Sllovenia, Kroacia dhe Bosnjë- Hercegovina veprojnë edhe tash në kohën kur pritet pavarësimi i Kosovës. Pra, koncepti i Beogradit është izolimi i serbëve në pjesët jashtë Serbisë, izolimi i Serbisë nga bota, krijimi i tensioneve, ndarjet territoriale dhe përpjekja e realizimit, aq sa është e mundur, të idesë “të gjithë serbët në një shtet”.

Atyre që janë në një moshë mesatare apo më të vjetër duhet t’u kujtohet se sa të sigurt në vete ishin sllovenët në fund të viteve tetëdhjeta kur dolën me parullat “Evropa zdaj“ (“Evropa tash”). Ata e dinin se çfarë duan dhe ku duan të shkojnë. Dhe ja ku janë. Jo vetëm se janë në NATO dhe BE, por janë edhe kryesues të radhës të Bashkimit Evropian e prej tyre pritet të prijnë edhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe në afrimin e pjesëve të tjera të ish-Jugosllavisë me BE-së. E Serbia jo vetëm se nuk e dinte atëherë se nga do të shkonte, por as pas 20 vitesh nuk e di. Me zemër do të bëhej pjesë e Federatës Ruse, por arsyeja disave u thotë se më mirë do ta kenë nëse integrohen në BE. Fundi i fundit të gjitha rreth saj janë në BE, madje edhe Hungaria, Rumania dhe Bullgaria që e përjetuan në një pjesë të historisë së tyre se çfarë do të thotë të jesh në gjirin e Rusisë. Deklaratat e sotme të liderëve serbë se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës “serbët e Kosovës nuk do të bashkohen me një krijesë të tillë dhe janë shprehur se duan të jetojnë në Serbi” t’i rikujtojnë deklaratat e njëjta të regjimit të Milosheviqit për serbët e Kroacisë e më vonë edhe të Bosnjës kur këto edhe u bënë të pavarura.

Atëherë thuhej se “nëse Kroacia ka të drejtë të pavarësohet, atëherë serbët në Kroaci kanë të drejtë të vendosin të mbeten në Jugosllavi“ . Kështu më vonë u tha për serbët e Bosnjë-Hercegovinë dhe kështu Beogradi mundohej të realizonte qëllimin sipas të cilit “të gjithë serbët të jetojnë në një shtet”. Beogradi nuk e realizoi atë qëllim. Ndodhi e kundërta. Siç ka thënë disa herë presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, “sa herë që Beogradi ka vendosur në vend të serbëve që kanë jetuar jashtë Serbisë, ata serbë kanë humbu”. Por problemi është në faktin se gjatë përpjekjeve të realizimit të qëllimit “të gjithë serbët në një shtet” Serbia ka bërë luftë kundër Kroacisë dhe Bosnjës e më vonë edhe kundër Kosovës. Këto kanë qenë luftërat më të përgjakshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe në to ka ndodhur edhe gjenocidi. Tash planet që ka pasur Beogradi me serbët në Kroaci (që nuk i ka realizuar) dhe në Bosnjë- Hercegovinë (që në masë të madhe i ka realizuar përmes krijimit të Republikës Serbe) po provon t’i realizojë edhe në Kosovë. Pra, kur Kosova të shpallë pavarësinë, serbët e Kosovës do të deklarohen se nuk e njohin atë, siç deklaronin para 17 vitesh edhe serbët e Kroacisë. Beogradi do të vendosë organet e pushtetit për serbët në territorin e Kosovës (siç kishte bërë në Kroaci) dhe, nëse lejon NATO-ja dhe BE-ja, do të dërgojë edhe ndihmë policore e ushtarake për serbët në Kosovë. Kështu do të fillojë të realizohet ideja për ndarje të Kosovës dhe do të nxitet lufta e re në rajon. Në fund mund të ndodhë, dhe me siguri do të ndodhë, që të gjitha këto koncepte serbe të përjetojnë humbje. Por pasojat që do të mbeten do të jenë të mëdha.

Sot në Kroaci krijohet qeveria e re. Në të një post të lartë do ta ketë edhe Milorad Pupovac, lider i serbëve të Kroacisë. Ky rast shënon edhe fundin e procesit të vetëdijesimit të serbëve të Kroacisë se Kroacia është vendi i tyre dhe jeta e fati i tyre vendoset në Zagreb e jo Beograd. Serbët e Kroacisë pra kanë humbur 20 vjet ta kuptojnë këtë. Pse të presin serbët e Kosovës njësoj dhe të mbeten vegël e Beogradit e në fund të pësojnë vetë. Planet e Beogradit për ndarje të Kosovës, izolim të serbëve në Kosovë dhe izolim edhe të Serbisë në Evropë, janë plane vetëshkatërruese. Prandaj, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare, pa marrë parasysh retorikën e Beogradit, duhet të punojnë më shumë me serbët e Kosovës, sepse ata në fund të fundit janë po ashtu kosovarë, po aq sa edhe shqiptarët e Kosovës dhe të tjerët.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: