Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur me rreth 17 mijë fletëvotime të cilat janë dërguar te votuesit jashtë Kosovës, e nuk janë kthyer prapa të plotësuara. Në KQZ vetëm kanë bërë të ditur se janë në vlerësim të rreth 13 mijë pakove të supozuara me fletëvotime nga afro 30 mijë sa u janë dërguar votuesve të regjistruar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vetëm 13 mijë e 84 pako me fletëvotime, nga 29 mijë e 725 pako sa ka dërguar te votuesit e regjistruar për raundin e dytë të zgjedhjeve.
Në këtë institucion, tash e dy ditë kanë heshtur në lidhje me fatin e 16 mijë e 725 fletëvotimeve që KQZ-ja ka dërguar me postë te votuesit e balotazhit të 9 nëntorit.
KQZ-ja s’ka treguar se kur fletëvotimet kanë mbërritur të votuesit e regjistruar e sa pako me fletëvotime nga jashtë janë dorëzuar pas afatit të caktuar.
Të premten, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. ka folur për vetëm për vlerësimin që kanë bërë për rreth 10 mijë pako me fletëvotime nga 13 mijë e 84 sa kanë pranuar në gjithsej. Sipas tij, nga 9 mijë e 800 pako, për të cilat është kryer vlerësimi deri paraditen e së premtes, 7 mijë e 240 janë pranuar e 2570 janë refuzuar.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka thënë Elezi.
Në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtur më 12 tetor, për të votuar nga jashtë u patën regjistruar 43 mijë e 933 shtetas, prej të cilave 33 mijë e 841 pako të supozuara me fletëvotime u patën tërhequr nga KQZ-ja.
Refuzimi i rreth 4 mijë pakove në këtë rund, sipas KQZ-së, është bërë për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit, të futjes së më shumë se 1 fletëvotimi në një zarf, të mungesës së pullës apo bulës postare, e të moskthimit prapa të fletëvotimit të dërguar.