Ermina Lekaj-Përlaskaj kandidate për deputete në parlamentin e Kroacisë, ka treguar rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në këtë parlament.
Ndër të tjera, ajo ka renditur edhe disa nga arsyet pse shqiptarët në Kroaci duhet ta votojnë atë.
Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 5 korrik, Parlamenti i Kroacisë ka të rezervuara 8 vende për pakicat, derisa në këto zgjedhje janë tre kandidatë për deputetë nga komuniteti shqiptar.
Lekaj-Përlaskaj ka thënë se shpërndarja e votave të shqiptarëve tek tre kandidatët, do të rrezikojë marrjen e një mandati të një përfaqësuesi shqiptar.
Ajo tutje në Express Intervista të KTV-së, si rrezik ka parë edhe komunitetin boshnjak, pasi sipas saj, janë numër më i madh e që për rrjedhojë ata mund të sigurojnë më shumë mandate në parlament.
Edhe
Deputetja shqiptare në Kroaci: Modeli kroat për pakicat, më i padhembshëm për Kosovën
“Gjasat nuk janë më të vogla sepse jam shumë më e njohur në komunitet, por dëmi mund të jetë sepse garojnë dhe boshnjak. Kemi pasur deputet boshnjak që nuk kanë punuar për komunitetin shqiptar madje as për komunitetin e vet. Prandaj unë apeloj që të votojnë. Jam më e rrezikuar nga komuniteti boshnjak, sepse janë komunitet më i madh dhe nëse shpërndahen votat e shqiptarëve atëherë mund të humbet mandati për shqiptarët”, ka thënë ajo.
Lekaj-Përlaskaj tutje ka renditur disa nga punët e saj në dy mandatet e kaluara.
“Jam marr shumë me avancimin e komunitetit shqiptar në Kroaci, jemi duke bërë një shtëpi të kulturës si pjesë e shoqatave tona, kam ndikuar në raportin e Kroacisë dhe Kosovës. Kam qenë e iniciatorë e disa marrëveshjeve mes Kosovës dhe Kroacisë. Janë gjera pozitive që janë arritur. Unë jam shumë krenare me rininë e Kosovës sepse kanë filluar të integrohen në Kroaci”, ka thënë ajo.
Duke folur për emigrantët nga Kosova në Kroaci ka thënë se ata duhet t’i ndjekin procedurat në mënyrë që të pajisen me dokumente të përhershme për qëndrim.
“Kroacia është pjesë e BE së dhe shumë të rijnë të Kroacisë kanë shprehur dëshirën të shkojnë jashtë dhe të punësohen, por ata nuk kanë mbetur pa fuqi punëtore. Pjesa e zhvillimit ekonomik 3-4 viteve të fundit ka ndikuar që të ketë më shumë punë”, është shprehur ajo.
Edhe
Ermina Lekaj-Përlaskaj për herën e tretë fiton mandatin e deputetes në Kroaci
Kandidatja për deputete në Parlamentin kroat ka thënë se komuniteti shqiptar ka merita edhe për formimin e shtetit të pavarur të Kroacisë.
“Ne trajtohemi mirë, ne shqiptarët Në Kroaci kemi dhënë një kontribut shumë të madh. Ne me punën dhe mundin tonë kemi arrit ta kemi një nivel dhe standard të mirë. Jemi meritor edhe për formimin e shtetit të pavarur të shtetit kroat”, ka thënë ajo.