Reagime të shumta ka nxitur vendimi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media për ta zgjedhur kryetarin e ri pak ditë para se t’i skadojë mandati Jeton Mehmetit. Është kontestuar edhe ligjshmëria e vendimmarrjes
Komisioni i Pavarur për Media e ka votuar për kryetar anëtarin e deritashëm të saj, Besnik Berishën, pak ditë para se t’i skadojë mandati kryetarit Jeton Mehmeti. Vendimin e ka mundësuar një plotësim që paraprakisht në këtë mbledhje i është bërë Rregullores së Punës.
Neni i shtuar, e që sipas një numri aktivistësh është në kundërshtim me ligjin, parasheh që zgjedhja e kryetarit e edhe e nënkryetarit të ri, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të atyre që janë në detyrë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari aktual i KPM-së, Jeton Mehmeti, të cilit i skadon mandati të hënën, ndërpreu mbledhjen duke thënë se vazhdimi i saj nga ai do të përbënte shkelje ligjore.
“Duke u thirrur në ligjin për KPM, nenin 14, dhe në bazë të interpretimit që dha kryeshefi i zyrës ekzekutive që votimi është në rregull, me katër vota ‘për’, zgjidhet Besnik Berisha si kryetar i ri i KPM-së. Në nenin 15 të ligjit të KPM-së mbledhjet i udhëheq kryetari në pajtim më rregulloren e punës së KPM-së. Andaj, kërkoj që kryetari i sapozgjedhur të vazhdojë me udhëheqjen e kësaj mbledhjeje”, tha Mehmeti.
Anëtarët dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së thanë se kryetari duhet të qëndrojë në detyrë deri të martën.
“Kryetari i sapozgjedhur sot e vazhdon mandatin e tij nga dita e martë, e jo nga sot. KPM-ja është e qartë në këtë pikë”, tha ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së Niman Racaj.
E Mehmeti tha se ndihet i pasigurt ligjërisht lidhur me vazhdimin e mbledhjes.
“Nëse është në kompetencë timen siç po interpretoni ju, për shkak të paqartësive që u krijuan sot me rregullore, nuk shoh hapësirë për të vazhduar kjo mbledhje, kështu presim të thirret një mbledhje tjetër”, tha Mehmeti.
Para dhe pas mbledhjes, ky zhvillim i paralajmëruar në KPM ka nxitur reagime.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Mediave Transmetuese në Kosovë, AMPEK, Ardita Zejnullahu, tha se kjo ngre pikëpyetje si për ligjshmërinë ashtu edhe për transparencën e procesit.
“Këto zhvillime krijojnë një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e KPM-së dhe për lirinë e medias në Kosovë. Në një demokraci funksionale, ndryshimet që prekin institucione të tilla duhet të ndjekin procedura transparente, të jenë të diskutuara gjerësisht dhe të mos cenojnë integritetin e këtyre institucioneve”, tha Zejnullahu në një përgjigje për KOHËN.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nëpërmjet një reagimi, ka shprehur qëndrimin se mënyra e ndryshimit të rregullores është tendencë për politizim të KPM-së.
“AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Por, në KPM insistuan se vendimi ka bazë në ligj. I pyetur lidhur me këto reagime, ushtruesi i detyrës së kryeshefit Niman Racaj tha se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin.
“Është ekzagjeruar shumë... Edhe Gjykata Kushtetuese e ka këtë praktikë për të pasur titullar. Nuk ka ndodhur shkarkim. Qëllimi ka qenë që të zgjidhet kryesia për shkak se kemi rrezikuar të mbetemi pa kryetar”, tha Racaj.
Javën e ardhshme KPM-ja do të mbetet pa kuorum. Dy anëtarëve u ka përfunduar mandati prej më shumë se një viti e dy të tjerëve, përfshirë kryetarin Mehmeti, u skadon të hënën, duke e lënë bordin me vetëm tre anëtarë.
Komisioni i Pavarur i Mediave, i themeluar në vitin 2005, është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë. Ajo licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, të cilët ofrojnë shërbimet mediale audiale dhe audiovizuale.
Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me votat e fshehta të anëtarëve të KPM-së.
Dy prej shtatë anëtarëve të bordit të këtij institucioni u kishte kaluar mandati në tetorin e 2023-s e Kuvendi s’e kishte bërë zëvendësimin e tyre. Dy të tjerëve u skadon më 21 janar, dhe bordi mbetet pa kuorum në kohë fushate zgjedhore.
Për zëvendësimin e dy anëtarëve që u ka përfunduar mandati, janë shpallur dy herë konkurse, por Kuvendi në seancë ka dështuar t’i emërojë. Në nëntor ishte bërë shpallja e tretë dhe KPM-ja i kishte procedura në fillim të dhjetorit aplikacionet në Kuvend.
Pushteti, edhe pse kishte mjaftueshëm anëtarë në Komisionin Parlamentar për ta formuar komisionin intervistues, e bënte përgjegjëse opozitën për pengim të themelimit të tij me arsyetimin se “kandidatët s’mund të intervistohen vetëm nga mazhoranca”.