Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, në një intervistë në “Tempus”, ka njoftuar se KPM-ja mund të ketë vakum në vendimmarrje gjatë kohës së zgjedhjeve.
Shkurti i zgjedhjeve nacionale në Kosovë, mund ta zë KPM-në pa anëtarët e nevojshëm për të marrë vendime.
“Mund të ndodhë që nëse nuk emërohen anëtarët e rinj nga ana e Kuvendit dhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr ndonjë vendim në kuptimin favorizues të versionit të ligjit që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, mund të kemi një vakum në vendimmarrje gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha Mehmeti.
Mandati i kryetarit Mehmeti do të përfundojë më 21 janar 2025 dhe po ashtu edhe mandati i zëvendësit të tij. Aktualisht, KPM-ja përbëhet nga vetëm pesë anëtarë. Kur merret parasysh fakti se dy do të largohen, KPM-ja mbetet në vetëm 3 anëtarë gjatë kohës së zgjedhjeve, jo mjaftueshëm për kuorumin për vendimmarrje.
“Kjo sepse nga shtatë anëtarë sa duhet t’i ketë KPM-ja, do të mbetet në vetëm tre anëtarë dhe tre anëtarë nuk e përbëjnë kuorumin për vendimmarrje. Kësisoj mund të vijmë deri tek një situatë ku ankesat e palëve të qytetarëve dhe rasteve të tjera me të cilat merret KPM-ja, mund të detyrohen të presin për një kohë të pacaktuar sepse nuk varet nga KPM-ja se kur Kuvendi do t’i emërojë anëtarët e rinj derisa të bëhet kuorumi për vendimmarrje”, shtoi Mehmeti. /BetimipërDrejtësi
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, në një intervistë në “Tempus”, ka njoftuar se në zgjedhjet e radhës, do të ketë ndryshime sa i përket transmetimit të deklaratave të politikanëve.
Sipas Mehmetit, nga hapja e kutive të votimit deri në mbylljen e tyre, do të transmetohen vetëm deklaratat e kandidatëve për kryeministër, liderëve të partive politike dhe kandidatëve për kryetarë komunash në kohë të zgjedhjeve lokale.
“Përfundimisht, në Rregullore kemi vendosur nga ora 7:00 e mëngjesit kur hapen kutitë e votimit deri në mbylljen e tyre, deklaratat, prononcimet e liderëve politikë dhe kandidatët për kryeministër dhe kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhje lokale, mund të transmetohen gjatë ditës. Ndërsa, kandidatët për deputetë apo asamblistë mund të transmetohen vetëm pasi të mbyllen kutitë e votimeve”, është shprehur Mehmeti.
Sipas të parit të KPM-së, kjo bëhet me qëllim që të mos favorizohen kandidatët e tjerë, qofshin ata deputetë apo asamblistë.
“Kjo me qëllim që publikut t’i transmetohen vetëm mesazhet kryesore nga akterët politikë, ata që përfaqësojnë subjektet politike. Në asnjë formë të mos krijohen favorizime ndaj një kandidati të caktuar. Sepse në të kaluarën kemi parë se deklaratat e disa kandidatëve janë transmetuar disa herë brenda ditës dhe kjo është një disfavor në kuptimin e trajtimit të barabartë të të gjithë kandidatëve të tjerë”, shtoi Mehmeti.
Ai theksoi se parimi i parë i Rregullores është që mediet duhet t’i trajtojnë subjektet politike në mënyrë të barabartë dhe t’iu ofrojnë hapësirë të barabartë të reklamimit./BetimipërDrejtësi
Kryetari i KPM-së: RTK shkeli Kodin e Etikës me artikullin e ‘Slobodna Bosna’, u kërkua sqarimi për palët e afektuara
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, në emisionin “Tempus” në KTV, ka treguar se si gjeti shkelje të Kodit të Etikës nga Radio Televizioni i Kosovës.
Bëhet fjalë për rastin ku gjatë këtij viti, RTK-ja ka transmetuar një lajm të “Slobodna Bosna”, ku u sulmuan dy media në Kosovë.
“Në këtë rast kemi pasur ankesë nga dy palët që janë afektuar nga lajmi dhe kemi parë se gjatë transmetimit të atij lajmi janë shkelur disa nene të Kodit të Etikës së KPM-së ku parashihet se çdo lajm i transmetuar duhet të jetë i balancuar. Duhet të mos jetë i njëanshëm, duhet të merret edhe opinioni dhe deklarata e palës për të cilën është subjekt i lajmit të tillë. Kemi pritur përgjigjen e të dyja palëve, të afektuarët dhe transmetuesit publik, përfundimisht kemi marrë një vendim në të cilin kemi gjetur në shkelje transmetuesin publik për këtë lajm”, është shprehur Mehmeti.
Ky rast, siç thotë Mehmeti, u mbyll me sqarimin e subjekteve pikërisht në RTK, pasi kështu u kërkua nga KPM-ja.
“Kemi kërkuar që subjekteve në fjalë (palëve të afektuara) t’u jepet mundësia për sqarim rreth atyre supozimeve dhe i kemi dhënë një afat, sepse një lajm duhet të demantohet, të sqarohet brenda një periudhe të shkurtër, kemi dhënë afat shtatë ditor transmetuesit publik dhe në ditën e shtatë për fat të mirë, transmetuesi publik e ka zbatuar kërkesën e KPM-së dhe u ka dhënë hapësirën palëve dhe më këtë është mbyllur ky rast”, shtoi Mehmeti. /BetimipërDrejtësi
Mehmeti: “Arena” publikoi mesazhe pas sulmit në Banjskë, nëse ndodh prapë do të largohet përgjithmonë transmetimi nga Kosova
Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, në një intervistë për “Tempus” ka sqaruar se çfarë ishte rasti “Arena”.
Mehmeti tha se pas sulmit në Banjskë, përmes “Arenës” u transmetuan mesazhe glorifikuese të sulmit.
“Rasti “Arena” ka të bëjë me publikimin e disa mesazheve menjëherë pas sulmit në Banjskë. Në ato është glorifikuar sulmi terrorist dhe duke pasur parasysh sensitivitetin e ngjarjes, mesazhi mund të ketë qenë inkurajues për persona të caktuar që të vazhdohet me sulme të tilla”, tha Mehmeti.
I pari i KPM-së njoftoi se brenda 48 orëve është marrë vendim për ndalim transmetimi për katër muaj.
“Në momentin që jemi vënë në dijeni për këto mesazhe, spote telivizive që janë lëshuar brenda apo gjatë pauzave të sportit, brenda 48 orëve kemi marrë vendim që të ndalohet transmetimi i kanaleve sportive “Arena” në të gjithë operatorët kabllorë, sepse kanë qenë duke u transmetuar në disa operatorë kabllorë dhe ky vendim ka qenë në fuqi deri në një vendim tjetër të KPM-së”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti gjithashtu premtoi se nëse ndodh prapë, “Arena” do të largohet përgjithmonë nga transmetimi në Kosovë.
“Vendimi tjetër i KPM-së ka ardhur tek pas rreth katër muajve kur kemi konstatuar se situata tashmë është më ndryshe dhe meqë vendimi i parë ka qenë i përkohshëm, atëherë kemi marrë vendim që të lejohet transmetimi i kanaleve Arena, me kusht që ngjarje të tilla, apo shkelje të tilla të rregullores tonë nuk do të ndodhin në të ardhmen. Nëse ndodhin, do të merret vendim për largim permanent të kanaleve Arena nga Republika e Kosovës”, shtoi Mehmeti. /BetimipërDrejtësi
Kryetari i KPM-së: Nga 1 janari qytetari mund ta shkëpusë kontratën me operatorët kabllorë nëse shkelet marrëveshja
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, ka njoftuar se nga 1 janari 2025, qytetarët do të mund të shkëpusin kontratën me operatorët kabllorë nëse shkelet marrëveshja.
Mehmeti tha në “Tempus” se kjo Rregullore e KPM-së erdhi si pasojë e zhvillimeve gjatë këtij viti, ku disa operatorë kabllorë u dënuan nga KPM-ja pasi disa kanale u larguan papritmas.
“Kur jemi ballafaquar me shumë ankesa të qytetarëve se disa emisione apo kanale janë larguar papritmas pasi ata kanë paguar, çfarë kemi bërë? Kemi angazhuar ekspert ligjor dhe tani kemi miratuar një Rregullore e cila në mënyrë të detajuar se çfarë duhet të përmbajë një kontratë e cila nënshkruhet mes një operatori të shpërndarjes dhe një klienti. Kjo rregullore hyn në fuqi nga 1 janari 2025 dhe tani e tutje qytetari do të ketë më shumë transparencë mbi shërbimet që do t’i marrë. Do ta ketë një kontratë paksa më volumionze, por falë asaj kontrate, qytetari, mund edhe të bëjë shkëputjen e kontratës kur ajo prishet njëanshëm nga operatori, apo edhe mund të marrë kompensim nëse këto nuk arrihen mes dy palëve, këtu është KPM-ja t’i detyrojë palët t’i respektojnë rregulloret dhe kontratat për të cilat ata marrin shërbimet”, tha Mehmeti.
Sipas kryetarit, KPM-ja sanksionon me qëllim vetëdijesues dhe jo si mekanizëm ndëshkues.
“Ka raste kur falë ankesave të qytetarëve kemi marrë vendime sanksionuese për një televizion të caktuar duke e kombinuar me kërkimfaljen ndaj një komuniteti të caktuar me qëllim që këto masa të jenë proporcionale, gjithmonë me qëllimin tonë të mirë që sanksionet tona të shërbejnë si një mekanizëm vetëdijësues dhe në asnjë formë si mekanizëm ndëshkues”, shtoi Mehmeti.
Ai përmendi se ka raste kur kanë sanksionuar deri në 100 mijë euro gjobë. /BetimipërDrejtësi
Jeton Mehmeti tregon pse dështoi dy herë konkursi për pozitën e kryeshefit të KPM-së
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, ka komentuar dështimin e dy konkurseve të hapura për pozitën e kryeshefit të KPM-së.
Sipas kryetarit të KPM-së, deri në shtatorin e vitit të kaluar ka qenë e pamundur të hapet konkurs.
“Deri në shtator të vitit të kaluar nuk kemi pasur fare të drejtë të hapim konkurs për shkak se është dashur ta respektojmë mandatin e ish-kryeshefit të cilit i ka përfunduar aty kah shtatori. Pastaj, në dhjetor kemi miratuar Rregulloren dhe kemi hapur menjëherë konkursin”, tha Mehmeti.
Ndërsa pas dhjetorit të vitit të kaluar, ai tha se konkursi ka dështuar dy herë për arsye të ndryshme.
“Në dy konkurset e para që kemi hapur për pozitën e kryeshefit, që të dyja kanë dështuar për arsye të ndryshme. Në të parën asnjë kandidat – dhe ky ka qenë vlerësim i britanikëve, nuk i ka plotësuar kriteret teknike për të shkuar tutje me intervistim”, ka thënë Mehmeti.
Ai shtoi se anëtarët e komisionit vlerësues në konkursin e dytë kishin dhënë dorëheqje falë problemeve teknike.
“Në konkursin e dytë të cilin e rishpallëm kandidatët të cilët hynë në garën për intervistë, gjatë procesit të testimit, komisioni vlerësues të cilin e përbëjnë zyrtarët e institucioneve të tjera kanë hasur në probleme teknike dhe falë atyre problemeve teknike anëtarët e komisionit vlerësues kanë dhënë dorëheqje. Kësisoj na është pamundësuar vazhdimi tutje i konkursit”, shtoi Mehmeti. /BetimipërDrejtësi
Mehmeti: Raportimet tona në Kuvend mund t’i kenë dekurajuar kandidatët për anëtarë të KPM-së
Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se raportimet e KPM-së këtë vit në Kuvend mund t’i kenë dekurajuar kandidatët potencialë për anëtarë të KPM-së.
Në një intervistë në “Tempus“, Mehmeti bëri të ditur se konkursi për anëtarë të KPM-së ka dështuar dy herë.
“Në fillim të këtij viti (2024), KPM-ja është ballafaquar me raportime të shpeshta në Kuvendin e Kosovës. Raportime të cilat kishin të bëjnë me vendimmarrjen e KPM-së dhe ajo çfarë ka ndodhur në ato raportime mund t’i ketë dekurajuar kandidatët potencialë edhe për të aplikuar për pozita të tilla. Prandaj, edhe konkursi ka dështuar dy herë, për kandidatët për anëtarë të KPM-së”, është shprehur Mehmeti.
Megjithatë, kryetari i KPM-së tha se në konkursin e radhës kanë aplikuar 19 kandidatë për katër pozita.
“Por, çka ia vlen të theksohet është se në tentativën e radhës kanë aplikuar gjithsej 19 kandidatë për katër pozitat që do të jenë vakante nga janari dhe nga këta 19 kandidatë, detyra jonë ka qenë ta reklamojnë pozitën dhe t’i inkurajojmë njerëzit, por më tutje nuk mund të bëjmë asnjë hap, përveç se t’i dorëzojmë aplikacionet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tani presim nga Kuvendi që t’i zgjedhë këta kandidatë në mënyrë që të kompletohet komisioni prej shtatë anëtarëve”, ka thënë Mehemti.
Sipas Ligjit për KPM-në, Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë, por kjo përbërje gjatë mandatit të fundit s’është kompletuar asnjëherë. /BetimipërDrejtësi
Mehmeti: KPM-ja përballet me sfida financiare, të hyrat e të licencuarve shkojnë në buxhetin e Kosovës
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, në një intervistë emisionin “Tempus” në KTV, foli për sfidat nëpër të cilat kalon institucioni që drejton, ndonëse i pavarur.
“Sfida e parë ka të bëjë me buxhetin e përgjithshëm me të cilin ky institucion (KPM-ja) operon. Ndonëse institucion i pavarur, nga aspekti buxhetor varet nga Ministria e Financave”, është shprehur Mehmeti.
KPM-ja ka edhe nevoja financiare për projekte të ndryshme, por jo gjithmonë aprovohen nga Kuvendi.
“Kësisoj kur bëjmë projeksione dhe projekte kapitale për shtim të stafit dhe për resurse të tjera teknike, duhet të kalojë përmes filtrave të Ministrisë së Financave dhe duhet të kenë aprovimin e Kuvendit të Kosovës. Jo gjithmonë kërkesat tona aprovohen, në kuptimin e nevojave financiare”, ka thënë Mehemti.
Megjithatë, siç sqaroi Mehmeti, KPM-ja të hyrat që i akumulon nga subjektet me licencë nuk ka të drejtë t’i shfrytëzojë, por ato mjete derdhen në buxhetin e shtetit.
“Ajo çka e bën interesant këtë institucion, ndonëse inkason të hyra nga të lincencuarit në kuptimin e tarifës për licencë, ato të hyra të gjitha derdhen në buxhetin e Kosovës. Pra, për dallim nga disa rregullatorë të shteteve të tjera të cilat ato të hyra mund t’i shfrytëzojnë për nevojat e veta, madje edhe për t’ua kthyer vetë subjekteve të licencuara në kuptimin e granteve për prodhim të përmbajtjeve televizive apo përmbajtjeve të radios, ne nuk kemi kurrfarë të drejte të menaxhojmë me ato të hyra përveç se t’i dorëzojmë direkt me buxhetin e Kosovës”, tha Mehemti.
Ai tha se Ministria e Financave do duhej t’i marrë parasysh kërkesat e institucionit.
“Për këto që i përmenda janë sfida që meritojnë vëmendje dhe do të doja edhe Ministria e Financave t’i marrë parasysh kërkesat e institucionit, sidomos ato që kanë të bëjnë me rritjen e stafit, madje edhe me nivelin e pagave që kanë punonjësit e këtij institucioni me institucionet e tjera të pavarura si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo institucioni i Avokatit të Popullit”, shtoi Mehmeti. /BetimipërDrejtësi