Afati i pagesës së obligimeve të bizneseve ndaj Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit nga falja e borxheve është zgjatur prej 30 qershor 2021 deri më datën 31 dhjetor 2021.
Kjo shtyrje e afatit është mundësuar në saje të miratimit të plotësim-ndryshimit të vendimit të Kuvendit të Komunës të datës 19 nëntor 2020, për faljen e një pjese të obligimeve të krijuara për taksa komunale, taksa për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike.
Propozim-vendimi për këtë çështje, në seancën e fundit të KK-së është prezantuar nga drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti, e cila ka përkujtuar se vjet është miratuar vendimi për faljen e një pjese të llogarive të arkëtueshme, konkretisht për taksa komunale për biznese si dhe ngarkesa për shfrytëzuesit e hapësirës publike, duke përfshirë auto-parkingjet, kioskat, tavolinat, barakat dhe reklamat.
“Në plan ka qenë që unë tani të dal para jush me një raport se si ka shkuar ky vendim, se si është implementuar realizimi i pagesave. Mirëpo për fat të keq implementimi i këtij vendimi nuk është se ka shkuar sipas pritshmërisë tonë. Niveli i pagesave ka qenë shumë i vogël. Kjo për arsye se ka filluar vonë kampanja për njoftimin e qytetarëve për këtë vendim, ku me kapacitetet që i kemi si komunë kemi bërë njoftimin përmes mediave lokale e rrjete sociale dhe kemi dërguar njoftime te bizneset. Mirëpo nuk ka pasur efekt. Deri më tani janë realizuar obligimet në vlerë 23 mijë euro... Vlera totale e faljes sipas vendimit të muajit nëntor ka qenë 7.6 milionë euro, me kusht që të paguhen 1.4 milionë euro. Pra jemi shumë larg arritjes së atij kushti që e kemi planifikuar”, ka thënë Çerreti.
Sipas saj, kërkesa e bizneseve lidhur me përfitimin nga falja e borxheve ka qenë zgjatja e afatit për pagesat që duhet të kryhen.
“Megjithëse vlera e pagesave është e vogël, në muajin e fundit kemi pasur pothuajse çdo ditë një numër të madh të bizneseve që kanë ardhur dhe kanë kërkuar që ky afat të shtyhet për shkak se nuk kanë mbërritur që ta shfrytëzojnë. Arsyeja ka qenë ndikimi negativ i pandemisë në të hyrat e bizneseve që ka pamundësuar shlyerjen e obligimeve megjithëse janë obligime të së kaluarës. Prandaj kemi ardhur me propozimin që afati për implementimin e këtij vendimi të shtyhet deri në fund të këtij viti”, ka deklaruar zyrtarja e lartë komunale.
Në të njëjtën kohë ka sqaruar se në këtë akt janë paraparë edhe ndryshime në disa nene,
për shkak se gjatë punës janë vërejtur disa mangësi, derisa disa obligime duhet fshirë për shkak se nuk është e leverdishme për Komunën që të iniciojë procedura përmbarimore për vlerat e vogla monetare.
Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se duhet ofruar lehtësime për bizneset duke marrë parasysh gjendjen nëpër të cilën po kalojnë ato gjatë periudhës së pandemisë.
“Prandaj, kërkoj që në plotësim vendim të hyjë edhe falja e qirave për komplet vitin 2021”, ka thënë Baldedaj.
Ndërsa Shukri Quni nga Nisma Socialdemokrate ka pohuar se ai nuk është pajtuar me praktikën e faljes së borxheve, për arsye se në këtë mënyrë penalizohen paguesit e rregullt të taksave. Me këtë rast ai ka shprehur drojën se me vendime të tilla po krijohen kushte për dekurajimin e qytetarëve të përgjegjshëm për kryerjen e obligimeve ndaj institucioneve shtetërore.
“Shteti mbahet me taksa, jo duke i falur ato. E sa për fushatë, falini ato gjithë ditën”, është shprehur Quni.
Dafina Alishani nga grupi i këshilltarëve të Vetëvendosjes duke iu referuar arsyetimit të drejtoreshës për vonesën me fushatën e informimit të bizneseve ka kërkuar sqarime se kush mban përgjegjësi për dështimin në këtë drejtim.
“Dikush duhet me marrë përgjegjësinë për këtë. Gjithashtu kush na garanton që do të sigurohet arkëtimi për një afat tjetër”, ka thënë Alishani, duke shtuar se me këto praktika po inkurajohen bizneset e përgjegjshme që me qenë të parregullt në pagesën e obligimeve të tyre. Për këtë arsye ka kërkuar aplikimin e bonuseve për bizneset që i kryejnë rregullisht obligimet ndaj Komunës së Prizrenit.
Baldedaj i AAK-së ka insistuar që propozimi i tij të miratohet për shkak të gjendjes së pandemisë.
Ndërsa drejtoresha Çerreti ka theksuar se pajtohet me propozimin e kuvendarit Baldedaj, por ka kërkuar që të shkohet me faljen 50 për qind për të gjitha kategoritë për vitin 2021.
Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, propozim vendimin për plotësim-ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së datës 19 nëntor 2020, e ka vënë në votim me propozim e dhënë nga kuvendari i AAK-së, i cili është miratuar me shumicën e votave të kuvendarëve të pranishëm në sallë.