Arbëri

Prizreni sivjet synon uljen e vlerës së lartë të llogarive të arkëtueshme

Obligimet e grumbulluara prej shumë vitesh të palëve të ndryshme ndaj Komunës së Prizrenit, në fund të vitit të shkuar kanë arritur shumën prej afër 23 milionë eurove.

Të dhënat lidhur me këto obligime janë shpalosur në raportin financiar të Komunës së Prizrenit për vitin 2020, ku në krye të listës së llogarive të arkëtueshme figuron tatimi në pronë me mbi 9 milionë euro, e pasuar nga taksat komunale për biznese me afër 8 milionë euro, taksat për mbeturina afër 4.8 milionë euro, lokalet afër 620 mijë euro, tregjet 183 mijë euro, etj. Në këtë raport gjithashtu theksohet se Kuvendi i Komunës në vitin e shkuar ka miratuar vendimin për faljen e borxheve në emër të taksës komunale për biznese, lokalet afariste, tavolinat, etj.

Organet komunale përgjegjëse për financat lokale kanë bërë të ditur se Komuna ka ndërmarrë veprime për uljen e shumës së llogarive të arkëtueshme që janë grumbulluar gjatë dy dekadave të shkuara në kategoritë e ndryshme. Drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti ka thënë se me vendimin e KK-së për faljen e borxheve parashihet falja e shumës prej 7.65 milionë eurove, prej të cilave pjesa dërmuese apo 7 milionë euro kanë të bëjnë me taksat komunale për biznese.

vendimin për faljen e borxheve do të zvogëlohen obligimet ndaj komunës për mbi 7 milionë euro, që do të zvogëlojë automatikisht obligimet ndaj Komunës së Prizrenit në pasqyrat e vitit aktual”, ka deklaruar Çerreti.

Sipas saj, pjesa tjetër kryesore e llogarive të arkëtueshme ka të bëj me tatimin në pronë si dhe me taksën për mbeturina.

“Sa i përket tatimit në pronë, ne si Komunë nuk kemi të drejtë të bëjmë faljen e tatimit në pronë, për shkak se menaxhohet nga niveli qendror, nga Ministria e Financave, Departamenti për Tatimin në Pronë”, është shprehur zyrtarja e lartë komunale.

Image

Lidhur me llogaritë e arkëtueshme në këtë kategori, Çerreti ka sqaruar se vitin e shkuar ka filluar dërgimi i njoftimeve të para për obliguesit që kanë borxhe mbi 2,000 euro ndaj Komunës.

“Kemi pasur një numër të konsiderueshëm që janë lajmëruar në Komunë e kanë bërë pagesën apo edhe që kanë hyrë në kontratë për të paguar me këste. Edhe këtë vit do të vazhdojmë me njoftimet për obligimet në tatim në pronë në vlerë deri 2,000 euro”, ka thënë Çerreti.

Në raportin financiar të vitit 2020 nënvizohet se nga shuma totale e borxhit për tatim në pronë, që është 9,16 milionë euro, shuma prej 1,44 milionë euro i takon borxhit të ndërmarrjeve publike.

Drejtoresha e Financave ka shtuar se aktualisht në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike po punohet edhe në rregulloren për mbeturina, ku po ashtu pritet që të ndërmerren masa të caktuara ndaj borxhlinjve.

Megjithëkëtë Çerreti ka pohuar se aplikimi i masave lidhur me llogaritë e arkëtueshme po bëhet me konsideratë për shkak të situatës së vështirësuar ekonomike, sidomos në rrethanat aktuale. “Jemi duke pasur konsideratë për shkak të situatës me pandeminë dhe nuk duam të aplikojmë masa të rrepta, prandaj po mundohemi që në komunikim me qytetarët të arrijmë që sipas mundësive që i kanë, qoftë përmes kontratave ti shlyejnë këto obligime, pasi është një periudhë e vështirë dhe është e pamundur që borxhet që janë mbledhur për 15 vite të mblidhen në një periudhë shumë të shkurtër”, ka deklaruar ajo.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të publikuar në vitin e shkuar thuhej se Komuna e Prizrenit përballet me vlerë të lartë të llogarive të arkëtueshme që rriten nga viti në vit. Aty theksohej se trajtimi i tyre mbetet sfidë për Komunën, dhe se mungesa e mekanizmave adekuatë, aplikimi i vonuar i masave për t’i arkëtuar këto të hyra dhe përgjegjësia jo e mjaftueshme e personave kompetentë ishin shkaktar të kësaj situate.