Shkalla e pagesave nga bizneset e Prizrenit që duan të përfitojnë nga falja e borxheve të krijuara për taksat komunale, taksat për shfrytëzimin e pronës komunale si dhe hapësirave publike vazhdon që të jetë në nivel të ulët. Progresi ka qenë i kufizuar në arkëtim të borxheve, ani pse pushteti lokal ka zgjatur afatin e pagesave deri në fund të këtij viti. Vlera totale e faljes së borxheve sipas një vendimi të organeve komunale arrin shumën 7.6 milionë euro, me kusht që të paguhen 1.4 milionë euro nga ana e bizneseve.
Drejtoresha për Ekonomi dhe Financa, Leonora Çerreti ka bërë të ditur se nga 1.4 milionë euro të planifikuara, bazuar në raportin e pagesave figuron se janë arkëtuar mbi 123 mijë euro. Ajo ka sqaruar se në këtë raport mungojnë të dhënat e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, që deri në momentin e dërgimit të përgjigjes nuk janë përpunuar. Kjo shumë e mjeteve të arkëtuara sipas saj nuk është i kënaqshëm.
“Shkalla e pagesave është ende me përqindje të ulët. Jemi tepër larg nga planifikimi i arkëtimit, dhe ecuria e deritanishme e pagesave nuk është e kënaqshme”, ka thënë Çerreti për KOHËN.
Sipas saj ky dikaster komunal ka zhvilluar fushatë të informimit për bizneset, në mënyrë që ky komunitet të shfrytëzojë mundësinë e ofruar nga organet lokale për shlyerjen e borxheve të grumbulluara përgjatë viteve të pasluftës. Çerreti ka shtuar se ka përpjekje që edhe përmes platformave tjera të informohen bizneset, që afati i fundit për kryerjen e pagesave është fundi i dhjetorit të këtij viti.
“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë bizneseve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ti bëjnë pagesat në mënyrë që të përfitojnë nga falja e borxheve”, është shprehur zyrtarja e lartë komunale.
Në verë të këtij viti, afati i pagesës së obligimeve të bizneseve ndaj Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit nga falja e borxheve ishte zgjatur prej 30 qershorit 2021 në datën 31 dhjetor 2021. Kjo shtyrje e afatit ishte mundësuar në saje të miratimit të plotësim-ndryshimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së datës 19 nëntor 2020, për faljen e një pjesë të obligimeve të krijuara për taksa komunale për biznese, taksa për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike. Drejtoresha Çerreti asokohe pati raportuar se janë arkëtuar 23 mijë euro nga 1.4 milionë të planifikuara për faljen e 7.6 milionë eurove, dhe se kërkesa e bizneseve lidhur me përfitimin nga falja e borxheve ka qenë zgjatja e afatit për pagesat që duhet të kryhen.
Në bazë të vendimit të miratuar nga KK-ja në nëntor të vitit të shkuar rreth 6 mijë biznese në Komunën e Prizrenit parashihet të përfitojnë nga falja e obligimeve në emër të taksës komunale, ndërkohë që një numër më i vogël i bizneseve mund të përfitojnë falje të borxheve në emër të taksës për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike. Me nenin 1 të këtij vendimi falen borxhet e krijuara për taksa komunale për të gjitha bizneset e regjistruara në Komunën e Prizrenit, për periudhën prej vitit 2001 deri në vitin 2013.
Me nenin 2, për të gjitha bizneset e regjistruara në Komunën e Prizrenit falet borxhi prej vitit 2014 deri në vitin 2019 për 70 për qind, me kusht që obliguesit pjesën tjetër të borxhit prej 30 për qind ta shlyejnë, ndërkohë që për bizneset që e kanë ndërprerë veprimtarinë afariste falet borxhi për këtë periudhë 5 vjeçare. Me nenin 3, për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale dhe hapësirës publike, falet borxhi për periudhën prej vitit 2001 deri në vitin 2019 për 60 për qind, me kusht që obliguesit pjesën tjetër të borxhit prej 40 për qind ta shlyejnë brenda këtij viti.
