Arbër Vokrri, zëvendësministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka thënë për KOHËN se gjatë mbledhjes që po mbahet do të japë dorëheqje prej pozitës së asamblistit.
Kështu ka thënë në një koment të shkurtër lidhur me një përgjigje të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për ligjshmërinë e ushtrimit të të dyjave pozita që i mban.
“Sot e jap dorëheqjen nga pozita e këshilltarit komunal, gjatë kësaj mbledhjeje të Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilën ndodhem aktualisht”, ka thënë ai.
Antikorrupsioni në një përgjigje për KOHËN ka thënë se ushtrimi i të dyja pozitave nuk ka ndalesë konkrete në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, por është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
“Sido që të jetë, ky rast dhe rastet e ngjashme si kjo, zgjedhjen e vet e gjejnë jo te LPKI, por te Ligji Nr.08/L-117 Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të dhjetorit 2022, konkretisht të paragrafët 2.2 dhe 2.3 të nenit 26 në lidhje me Papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Anti-Korrupsion.
Në përgjigjen e Anti-Korrupsionit sqarohet se këto nene specifikojnë se anëtarët e Qeverisë nuk mund të: Ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal; Ushtrojnë ndonjë funksion si të zgjedhur ose të emëruar jashtë detyrave të tyre zyrtare ose të veprojnë bazuar në një kontratë pune ose kontratë për ofrimin e shërbimeve, përveç për qëllime të hulumtimit ose mësimdhënies, pasi ta informojnë me shkrim Kryeministrin për qëllimet e tilla.