Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zv.ministri i MAPL-së: Disponimi i qytetarëve në tri komuna veriore, kundër kthimit të sundimit të Listës Serbe

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, derisa ka njoftuar se peticionet me nënshkrime për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë janë dorëzuar tashmë dhe duhet të përcillen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se nuk pritet të arrihet bindja e mbi 50 për qind të qytetarëve në tri komuna që të marrin pjesë në zgjedhje për ta deklaruar shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Sipas tij, disponimi i qytetarëve në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok është i atillë që janë kundër kthimit të udhëheqjes së Listës Serbe.

“Disponimi i qytetarëve është i atillë që janë kundër prapakthimit, mes gjendjes aktuale dhe asaj ku do të rikthehej sundimi i Listës Serbe, ata më parë do të përcaktoheshin që ta shfrytëzojnë gjendjen aktuale për t’u organizuar dhe për ta sfiduar Listën Serbe në rrethana më të favorshme, sidomos në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, jam më se i sigurt që nuk do të arrijnë t’i bindin as 50 për qind të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje për t’u deklaruar për shkarkim të kryetarëve. Në Mitrovicën e veriut mbetet të shihet pasi që ajo ka qenë qendra e pashpallur e ‘Zajednicës’ apo Asociacionit të synuar, aty ka qenë i përqendruar në masë të madhe organizimi i serbëve. Aty ndoshta mund të arrihen më shumë se 50 për qind, në tjerat komuna është vështirë të arrihen”, ka thënë ai të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Vokrri ka thënë se nëse KQZ-ja konstaton se një numër i nënshkrimeve nuk janë valide dhe përqindja bie nën 20, mund të jepen edhe 10 ditë shtesë për ta realizuar 20 përqindëshin e nevojshëm.

“Në momentin kur KQZ-ja e konstaton se gjithçka është në rregull apo janë përmbushur kriteret, prej atij momenti më së largu pas 45 ditësh duhet të shpallet data e zgjedhjeve, ku qytetarët më pas duhet të deklarohen nëse janë për ndërrim apo jo të kryetarit të komunës. Për t’u shkarkuar një kryetar nevojitet mbi 50 për qind e gjithë trupës votuese të komunës përkatëse”, ka shtuar ai.

Edhe Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale rrit rrezikun për tentim-zhbërjen e punëve të kryera në veri Arbëri Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale rrit rrezikun për tentim-zhbërjen e punëve të kryera në veri

Vokrri ka thënë se nuk pret që Lista Serbe të kthehet në pushtet në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Ka mundësi që të ketë edhe ndonjë kandidat shqiptar, mirëpo gjasat më të mëdha janë që kryetarët e ardhshëm atje të jenë të gjithë serbë, e do të ketë zëvendës të tyre që do të jenë shqiptarë. Nuk pres që në tri komuna të jetë Lista Serbe në pushtet pasi është bërë e qartë për qytetarët e atjeshëm që Lista Serbe i ka mashtruar”, është shprehur ai.