Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ka këtë rol vetëm si deputeti më i vjetër dhe se ai nuk ka autorizim të pafund ligjor e kushtetues për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Zemaj ka thënë se thirrja e seancës konstituive është obligim kushtetues e jo çështje e dëshirës apo vullnetit politik “të një deputeti që keqpërdor një normë të Rregullores së Kuvendit”.
Zemaj ka thënë se po rrëshqitet në anarki dhe kapje të shtetit.
“Seanca duhet të thirret, Kuvendi duhet të konstituohet dhe duhet t’i jepet mundësia formimit të institucioneve të reja. Përndryshe, kjo nuk është më demokraci, por rrëshqitje në anarki dhe kapje e shtetit. Çdo njeri nga ne që e lejon një veprim të tillë dhe e normalizon atë, në fakt po e normalizon edhe mosrespektimin e ligjit dhe të Kushtetutës”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Dehari të martën ka thënë se seanca e radhës do të ftohet kur të ketë marrëveshje mes partive politike.
I pyetur se a konsiderohet shkelje e Kushtetutës moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar prej 30-ditësh, Dehari deklaroi se nuk mund të konsiderohet shkelje përderisa nuk ka sanksione.
Edhe
Rexhaj: Ende nuk e dimë çfarë kërkon LDK-ja, emri i Osmanit s’është përmendur asnjëherë
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet. Nuk ka sanksione dhe derisa nuk ka sanksione, nuk mund të thuhet se ka shkelje”, ka thënë Dehari gjatë një aktiviteti të Kuvendit për pritjen e mërgimtarëve.
Seanca e fundit u mbajt të shtunën, ndërsa ajo përfundoi kur kryeministri në detyrë Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për arritje të një marrëveshje politike. Pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e gjuajti me vezë Kurtin, ndërsa seanca u ndërpre.