Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti t’i përvishet punës në menaxhimin e pandemisë.
Ai ka thënë se deklaratat pa punë janë veç fjalë të thata e të pamatura si dhe kanë kosto për qytetarët.
“Kryeministër, pandemia nuk është lojë. Virusi ishte dhe është në mesin tonë, ndaj tento të punosh. Veç një herë në jetën tënde vendos dhe tento të punosh. Tento, mos u frikëso. Sipas Kurtit, virusi vetvetiu do të duhej të hiqej pas 14 shkurtit, por ja që nuk ndodhi. Ai kishte deklaruar e ishte lavdëruar se pandeminë e mundi, mirëpo dje, nga 9 raste i kemi 221 raste të reja me Covid 19, përkthyer ndryshe është një rritje prej afërsisht 2,500%”, ka shkruar ai.
Zemaj ka thënë se nuk menaxhohet pandemia me retorikë boshe.
“Kryeministër , aman përvili mëngët, e jo ‘mindilin’, se nuk bën, nuk funksionon, besomë. Me ‘mindilin’ tënd mundesh veç të qash me lot, se me menaxhu pandeminë e ke të kotë. Nuk menaxhohet pandemia me retorikë boshe. Mos të harroj që ta kujtoj se as 10% të qytetarëve nuk i ke të vaksinuar”, ka shkruar ai, duke ia rikujtuar që shtatori po vie.