Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zemaj: 99% të premtimeve Qeveria nuk i ka realizuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se 99 për qind të premtimeve të dhëna Qeveria nuk i ka realizuar.

Ai ka shtuar se  të hënën, 2 dhjetor, në seancën ku do të diskutohet për qeverisjen e Albin Kurtit do të jenë fokus tri tema – zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe relacioni i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Kur i listojmë premtimet del se 99% të premtimeve nuk janë realizuar. Mos të flasim për premtimet e mëdha, bashkimi kombëtar, dialogu, raporti me Serbinë, investimet e mëdha, 400 banesa për të rinj, 160 çerdhe, luftimi i korrupsionit, shkelja e ligjit. E kemi një Qeveri që ka thënë kush e shkel ligjin është kriminel, kush e shkel Kushtetutën është superkriminel, i kemi 10 shkelje kushtetuese, sot me i pyet thonë po e pengojnë reformën tonë”, ka thënë ai në “60 minuta” të KTV-së.

Zemaj ka potencuar se më e rëndë është gjendja ekonomike dhe se për këtë Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

“Ne sot e kemi një ekonomi totalisht të ngecur pavarësisht statistikave të mashtrimit që i jep Qeveria... Ajo që e kemi më të rëndë është që 60% e pagës bazë për 2-3 ditët e para të muajit çdo familje e shpenzon për ushqime bazike. Çka ka bë Qeveria për ta mbrojtur qytetarin, për parandalimin e çmimeve ekstreme dhe parandalimit të inflacionit ekstrem. Në Kosovë gjatë qeverisjes Kurti janë mbi 2400 tenderë njëburimorë, afër 300 milionë të tenderëve të negociuar. Ne nuk e dimë çka ka ndodhë, por Prokuroria ka nisur hetim”.

Sipas tij, akterët politikë të pozitës janë pasuruar vetë me keqpërdorim të parasë publike.

Edhe Premtimet e Kurtit cilësohen ambicioze e të përsëritura Arbëri Premtimet e Kurtit cilësohen ambicioze e të përsëritura

“Aq keq janë demaskuar me këto hajni të parasë publike, me keqpërdorimin e fondeve publike, janë treguar të dobët, të paaftë dhe agresiv në përvetimin e fondeve publike dhe e them me përgjegjësi sepse i njohim, e dimë kush kanë qenë para 5 vjete, e dinë kush janë sot. E shohin pasurinë e tyre, dukjen e tyre... jo që ka më të pasuruar por është e dëshmuar me deklaratat e tyre të pasurisë”, u shpreh tutje.

Zemaj ka theksuar se Qeveria aktuale është e vetmja që asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi dhe kryeministri Kurti i vetmi që ka mbrojtur njerëz me afera korruptive e shkeljet kundërkushtetuese.

“Kjo qeveri që nga fillimi e ka njohur vetëm presionin, nga atë mbi të cilën ka ardhur në pushtet, mbi mashtrimin. Sa herë është zënë në flagrancë janë tërhequr, por asnjëherë duke marrë përgjegjësi. Është qeverisja më e keqja negative në kuptimin e llogaridhënies sepse është i vetmi kryeministër që ka mbrojtur njerëz me afera korruptive, është kryeministër që i vetmi ka mbrojtur shkeljet kundërkushtetuese”.