Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Yagcilar në Mal të Zi, diskutohet për anëtarësimin Kosovës në ReSPA

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sot vizitoi Malin e Zi ku realizoi takime me Ministren e Administratës Publike, Susana Pribiloviq, me drejtoreshën e përgjithshme të Shkollës Rajonale për Administrate Publike (ReSPA), Ratka Sekuloviq dhe Zëvendës Kryeministrin, Rafet Husoviq.

Në takimin me ministren Pribiloviq u diskutua për shkëmbimin e përvojave në fushën e Administratës Publike në mes të dy vendeve duke ditur proceset e ngjashme që po kalojnë të dy vendet për reformat në këtë sektor.

Ministrat u pajtuan se reforma e Administratës Publike është njëra ndër shtyllat kryesore për proceset integruese në Bashkimin Evropian, prandaj përvojat e ndërsjella janë të nevojshme sidomos në tema të veçanta që kanë të bëjnë me shërbimin civil, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, racionalizimin e agjencive ekzekutive, përmbushjen e marrëveshjes për përkrahje buxhetore sektoriale.

Në takimin me ReSPA u diskutua për aderimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare si anëtar i barabartë me shtetet tjera themeluese. Ministri fillimisht falënderoi ReSPA-n për rolin dhe kontributin që ka dhënë kjo shkollë në ngritjen e kapaciteteve për Administratën Publike në Kosovë që nga themelimi deri më sot duke dhënë zotimin se Qeveria e Kosovës do të riprocedojë ligjin për aderimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ndërsa në takimin me zv.Kryeminstin Husoviq është biseduar për bashkëpunim rajonal në fusha të ndryshme dhe projekte zhvillimore. Ministri Yagcilar e ka informuar atë për proceset e integrimeve evropiane në Kosovë dhe e ka falënderuar zv.kryeministrin malazez për përkrahjen e dhënë për shtetin tonë si dhe për projektet infrastrukturore midis dy shteteve në vendbanime kufitare.

Pjesë e delegacionit ishin edhe Ambasadori i Kosovës në Malin e zi, Skender Durmishi dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe të MAP- it.