Dëshmitari Paul Williams tha se e ka marrë përshtypjen nga faktorë të shumtë se Thaçi nuk kishte kontroll mbi qëndrimin e tij si kryesues i delegacionit në Rambuje. Williams tha se persona jashtë kështjellës së Rambujesë (v.j vendit ku zhvilloheshin negociatat) ia përcaktonin atij qëndrimet.
“Pra nga njëra anë kishim telefonatat që bënte z. Thaçi, këshilltarët e jashtëm apo palët e treta, për shembull një person shqiptaro-amerikan (v.j Dino Hasani sipas dëshmitarit) apo pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që kishin ide shumë të qarta dhe mund ta lexoje pak edhe nga qëndrimi ose paraqitja. Pra ndonjëherë ke një koklavitje apo përzierje të aktorëve, shumë palë të tjera të cilat mua më kanë bërë që të arrij në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo i kishte pjesërisht nën kontroll ato ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu dmth diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesta nga jashtë kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, tha Williams.
Sipas ish-këshilltarit të delegacionit të Kosovës, Thaçi u përgjigjej telefonatave vazhdimisht. Këshilltari ligjor tha se konsultohej edhe me të tjerë përfshirë një shqiptaro-amerikan me emrin Dino Hasani.
“Bazë për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështuqë mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës. Përfshirja ime në fshatin e Rambujesë, pra jashtë kështjellës, kur ka ndodhur negociatat ku unë takohesha rregullisht me një shqiptaro-amerikan që kishte marrëdhënie të ngushtë me UÇK-në dhe me individë apo persona të tjerë që më janë identifikuar si pjesëtarë të UÇK-së, ku ne diskutonim dispozita të ndryshme nga këndvështrimi i juristit, pra këndvështrimi im sa i takon tekstit të marrëveshjes”, tha dëshmitari.
