Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Williams tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës kosovare gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.
Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.
“Gjatë ditës së parë ose të dytë kur isha në godinë aty më ftuan që të japë një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika: dhe pika e katër ishte juridiskioni, aktivitetet, hetimet e aktakuzat e TPNJ-së”, tha Williams.
Juristi i së drejtës ndërkombëtare po ashtu tha se delegacioni kosovar iu kërkoi hollësi lidhur me këtë çështje dhe për tema të tjera. Përshtatja e gjuhës në dokumente, sipas tij, iu kërkua nga Fehmi Agani.
Dëshmitari tha se ishte i thirrur që në këtë gjuhën gjihëpërfshirëse ta përfshinte qasjen e mjaftueshme të TPNJ-së për të ushtruar mandantin e saj edhe brenda Kosovës.
“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokurorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë se nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë Masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerezimit’. Prokurorja do të hetonte atje por i thanë që nuk ke vizë”, u shpreh Williams.
Williams tha që arsyet e tjera që lidhen me mbështetjen e plotë të TPNJ-së, ishte edhe të ruhej një barazi morale.
