Arbëri

VV: Komuna e Podujevës është uzurpuar nga Nexhmi Rudari

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë e kanë akuzuar nënkryetarin e Komunës, Nexhmi Rudari, për uzurpim të objektit të administratës. Nëpërmjet një aksioni simbolik para objektit të komunës ata e kanë vendosur një baner ku shihet presidenti Hashim Thaçi, i cili ua ka lidhur duart ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut dhe ushtruesit të detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarit.

Aktivisti Fatri Zhitia ka thënë Komuna e Podujevës po udhëhiqet nga një person që nuk ka marrë asnjë votë në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne aktivistët e Lëvizjes VV, kemi paraqitur se Komuna e Podujevës është e uzurpuar nga një klikë njerëzish dhe po udhëhiqet nga një njeri që në zgjedhjet lokale se ka asnjë votë dhe nuk përfaqëson asgjë. Në të vërtetë ai vetëm menaxhon apo thënë më mirë keqmenaxhon, sepse shefi i vërtetë është ministri Veliu. Nexhmi Rudari nuk është i dëshiruari i qytetarëve, por është i dëshiruari i Agim Veliut sepse Veliu nuk mund të gjejë një tjetër më të dëgjueshëm dhe një servil më të madh që vetëm zbaton urdhërat e tij”, është shprehur Zhitia gjatë këtij aksioni. “Nënkryetari i komunës Ruadri është një marionetë që punon dhe përfaqëson vetëm interesat e ngushta të një grupi që ka uzurpuar dhe ngulfatur komunën. Përmes këtij aksioni simbolik kemi paraqitur në trajektore lidhjen e ngushtë të ish- kryetarit Veliu me presidentin Thaçi dhe të nënkryetarit Rudari, të cilët edhe e kanë bllokuar procesin e mbajtjes së zgjedhjeve tash e 6 muaj në komunën tonë, por edhe mirëmbajtjen e pushtetit në të kaluarën nga marrëveshjet e fshehta mes tyre”.

Sipas tij, qytetarët e Podujevës po e shohin hapur këtë bashkëpunim e afërsi mes tyre dhe se tashmë u kanë rënë maskat dhe prapaskenat e tyre.

“Sot, Komuna nuk është në funksion të saj për t'u shërbyer qytetarëve, por është kthyer si institucion i rehatimit të militantëve partiakë dhe plaçkitjes së buxhetit të saj. Qytetarët e Podujevës ndjehen të ngulfatur nga një qeverisje e tillë, e cila po i përjashton kuadrot profesionale dhe i diskriminon qytetarët në baza partiake, andaj duhet të largohet sa më parë nga pushteti një mendësi e tillë e cila i ka shkaktuar shumë dëme Komunës dhe qytetarëve të Podujevës. Qytetarët e Podujevës kanë nevojë për një qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe që punën e saj e bazon mbi nevojat dhe interesat e qytetarëve”, ka thënë Fatri Zhitia.

Image