Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja paralajmëron zgjerim të diskutimeve për presidentin

Albin Kurti (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Zyra e Presidentes Vjosa Osmani nuk ka ofruar përgjigje të martën se prej cilit subjekt politik pret që të ketë mbështetje për të zyrtarizuar kandidaturën e saj për edhe një mandat në krye të shtetit. Pas takimeve të zhvilluara të kryetarit të VV-së me ata të partive opozitare PDK e LDK, optimizëm është parë edhe te vetë deputetët se mund të gjendet një zgjidhje pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje të reja

Qëndrimin unifikues të liderëve të subjekteve politike për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin që vendi të mos shkojë në zgjedhje, e kanë reflektuar të martën edhe deputetët. Pas takimeve të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti me ata të LDK-së e PDK-së, Lumir Abdixhiku e Bedri Hamza, deputetë të tri partive janë shprehur optimistë për zgjidhjen e ngërçit për presidentin.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar zgjerim të diskutimeve edhe me deputetët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, ka thënë ajo.

Nagavci nuk ka përmendur ndonjë emër konkret për postin e presidentit. Ajo ka thënë se është obligim i të gjithë deputetëve që të gjejnë konsensus. 

“Vitin e kaluar kishim katër palë zgjedhje. Institucionet për një kohë të gjatë kanë vepruar, kanë punuar si institucione me qeverisje në detyrë dhe është tejet e rëndësishme që stabiliteti i cili u rikthye edhe me votimin e qeverisë edhe me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, së fundmi edhe me ligjin për buxhetin, të vazhdojë me punë me mandat të plotë në interes dhe shërbim të qytetarëve”, ka thënë ajo.

E deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi për rrugën që do të ndiqet apo edhe kandidaturat eventuale, do të merret në organet e partisë. 

“Ende nuk kem një qëndrim të kryesisë së PDK-së, ne duhet ta kemi një debat në PDK, mandej e japim... vendimi politik i takon një subjekti politik”, ka thënë Hoxhaj, derisa ka shtuar se do të votonte për një kandidaturë që vjen nga familja Jashari.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, e ka konsideruar pjekuri politike vet diskutimin mes subjekteve politike. 

“Dialogu kërkohet për arritjen e çfarëdo marrëveshjeje, andaj mendoj që është pjekuri e partive politike që të ulen dhe të vijnë te zgjidhja me qëllim që të mos ketë ngërç institucional apo destabilizim të vendit ose shkuarje në zgjedhje”, ka thënë ajo.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ambicien edhe për një mandat. Nga Zyra e Presidencës, të martën nuk kanë kthyer përgjigje se nga cila parti do të sigurojë 30 nënshkrime për rikandidim.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill 2021.