Kanë mbetur edhe dy muaj, brenda së cilës kohë Kushtetuta kërkon të zgjidhet presidenti. Por, deri tash, nuk janë zhvilluar bisedime mes subjekteve politike, në lidhje me kandidatin. Kryeministri në detyrë ka shprehur gatishmëri bashkëpunimi me opozitën, por në partinë që ai drejton thanë se rendi i gjërave kërkon tri vendimmarrje që nuk lidhen me presidentin.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk i ka definuar si të natyrës urgjente veprimet në funksion të zgjedhjes së presidentit, ndonëse dështimi për ta bërë këtë brenda afatit kushtetues ka për pasojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në këtë subjekt politik, që në zgjedhjet e fundit ka siguruar 57 mandate në Kuvend, thanë se janë tri çështje me më prioritet.
“Para çështjes që ju shtroni duhet ndjekur rendin e gjërave derisa të vijmë në atë pikë. Pra, ta konstituojmë Kuvendin, pastaj të votojmë Qeverinë, marrëveshjet ndërkombëtare ku përfshihet plani i rritjes së BE-së e tri marrëveshje me Bankën Botërore, dhe tutje përbrenda afateve kushtetuese të merremi natyrisht edhe me çështjen e presidentit”, thuhet në një përgjigje të LVV-së.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin për edhe një mandat. Por, në kabinetin e saj nuk kanë treguar për veprimet që është duke ndërmarrë për të siguruar përkrahjen e nevojshme.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, nuk ka garantuar rizgjedhjen e saj. Ai i ka bërë ftesë publike opozitës për t’u marrë vesh, qoftë për rizgjedhjen e Osmanit, qoftë për zgjedhjen e një presidenti të ri.
Politologu Melazim Koci e sheh këtë si reflektim ndaj situatës që ka përcjellë shtetin vitin e shkuar.
“Nuk e përjashtoj mundësinë edhe të një marrëveshjeje, siç e thash pak më parë të LVV-së me PDK-në për një personalitet... Ajo mund të jetë zonja Osmani, nuk e përjashtoj këtë mundësi, por ajo që e përjashtoj, është kjo: LVV-ja e ka bërë të qartë që nuk dëshiron bashkëqeverisje, në këtë rast të ndajë një pjesë të pushtetit me PDK-në dhe pra mbetet vetëm mundësia e gjetjes së një kandidati konsensual, në këtë rast mes PDK-së dhe LVV-së”, ka thënë Koci.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Osmani është zgjedhur presidente më 5 prill të 2021-s, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas.