Arbëri

VV-ja paralajmëron kallëzim penal për Komunën e Prishtinës lidhur me objektin e LDK-së

Foto: Koha / ilustrim

Këshilltarët komunal të Vetëvendosjes kanë paralajmëruar kallëzim penal për Komunën e Prishtinës, për mosintervenim në objektin e rinovuar të LDK-së, në Prishtinë.

Sipas tyre, megjithëse i është refuzuar leja, LDK-ja ka shfrytëzuar kohën e balotazhit për renovimin e objektit të tyre, te Qafa, i cili  gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit.

Asamblisti Arianit Beqiri thotë se kryetari Përparim Rama po rrënon objekte të tjera pa leje, por jo edhe atë të LDK-së.

"Komuna e Prishtinës nuk është transparente. Ata nuk kanë intervenuar as në qeverisjen e Ahmetit e as tash në qeverisjen e Përparim Ramës. Do të paraqesim kallëzim penal për mos përmbushje të detyrave nga Komuna", ka thënë ai.

Shefi i grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, thotë se Rama është dorëzuar para LDK-së.

"Komuna e Prishtinës dhe Përparim Rama është dorëzuar para LDK-së. LDK-ja nuk po i përfillë ligjet. Ky është modeli i qeverisjes së tyre. Ne e dimë se klanet dhe grupet e LDK-së janë më të forta së Rama. Kërkojmë nga kryetari Rama ta rikthejë objektin në gjendjen e mëparshme", ka thënë Sveçla.