Kryeqyteti

VV-ja në Prishtinë akuzon kryetarin Rama: Tenderi për ndriçim smart i orkestruar

Arben Brovina

Foto: Driton Paçarada

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama për “tender të orkestruar” në lidhje me ndriçimin smart. 

Arben Brovina, koordinator i nënkomiteteve të VV-së në Qendrën e Prishtinës, ka thënë se bëhet fjalë për njoftim për një thirrje që ishte bërë më 5 prill të vitit 2024. 

Ai ka thënë se bëhet fjalë për ndriçim publik smart dhe se duhet dorëzuar oferta deri më 30 prill. 

“Vlera e kësaj është 10 milionë euro me kohëzgjatje 3-vjeçare. Hulumtimet e ekspertëve tanë lidhur me këtë thirrje, kanë konstatuar se kriteret e kërkuara nuk japin aspak mundësinë për konkurrencën dhe pjesëmarrjen e më shumë operatorëve ekonomike, ku janë përdorur shumë kërkesa dhe kritere që nuk ndërlidhen me këtë aktivitet”, tha Brovina në konferencë për media.

Ai ka specifikuara pikat si çështjen e emërtimeve të pajisjeve që përdoren për ndriçim, më pas edhe kualifikimet. Po ashtu ka thënë se shumë përmasa bien në ndesh me ligjin e prokurimit publik. 

“Kemi paramasa më shumë të orientuar në punë sesa shërbime. E njoftimi për kontratë është shërbimi. Është proporcion 90 për qind me 10 për qind”, ka thënë Brovina. 

Ai ka thënë se gjitha analizat çojnë te konkludimi se “është tender i orkestruar dhe shkon në dëm të buxhetit të Prishtinës e llogari të individëve të caktuar”. 

Ai i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të nisin hetimet.