Janë ashpërsuar përplasjet mes Partisë Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.
Të enjten, me inicimin e Vetëvendosjes, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar asamblistin e PSD-së, Qëndrim Sahiti, nga pozita e anëtarit në Komisionin e Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Propozimin për shkarkim e bëri Egzon Azemi i Vetëvendosjes, me arsyetimin se përmes aksionarëve të partisë së tij, Shpend Ahmeti po do ta kapë këtë ndërmarrje.
Fillimisht, atij iu përgjigj asamblisti i PSD-së, Nol Nushi, që i tha se pjesë e qeverisjes që Azemi e quajti “kapëse”, është edhe partia e tij.
Kjo nuk ishte përplasja e vetme e ish-bashkëpartiakëve. Më herët, Azemi e kishte thumbuar Nushin, që mban edhe pozitën e shefit të kabinetit të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, po ashtu pjesë e PSD-së.
Azemit, që u thirr në vendimin e MZHE-së për anulim vendimit për krijimin e bordit të përkohshëm të NPB-së, të caktuar nga dy aksionarët e tjerë Qëndrim Sahiti e Dren Kukaj, iu përgjigj edhe kjo dyshe.
Propozimi i Azemit për shkarkimin e Sahitit mori përkrahjen e LDK-së dhe PDK-së.
Madje, Shefki Gashi i bëri një ofertë Vetëvendosjes, që “t’i hyjnë bashkë ndërmarrjeve”
Por, pasi Gashin e quajti “injorant”, Azemi tha Vetëvendosje nuk bën pazare.
Por, PSD-ja dhe partnerët e saj kanë kundërshtuar propozimin, me arsyetimin se ajo u fut si pikë e rendit - vetëm për diskutim.
Me gjithë propozimin e Zyrës Ligjore që nuk duhej të votohej, kryesuesi, me insistim të Vetëvendosjes, e hodhi propozimin në votim.
Kjo bëri që PSD-ja dhe partnerët e koalicionit ta lëshojnë sallën, duke pamundësuar kuorumin.
Edhe pse në sallë mbetën 25 asamblistë, një më pak se kuorumi i nevojshëm, seanca nuk u ndërpre.
Për të mundësuar vazhdimin e seancës dhe votimin, ata priten 45 minuta për ardhjen nga shtëpia të një asamblisteje.
Kryesuesi Agim Kuleta, edhe pse disa herë deshi ta mbyllte seancën, u përball me presionin e partive në sallë, për ta pritur një asambliste.
Menjëherë pas këtij votimi, edhe pse në rend dite ishin edhe 7 pika, seanca u ndërpre, për të vazhduar të martën.
Pas përfundimit të seancës, një fotografi e asamblistëve të LVV-së LDK-së e PDK-së, me mbishkrimin “opozita bashkuar” zgjoi reagime të shumta.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që nuk ishte në mbledhjen e kuvendit, reagoi duke thënë se asnjëherë nuk ka menduar se Vetëvendosja do të bëhej bashkë me dy partitë që i akuzonte, kundër tij.