Anëtarja e Ekipit Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Danijela Vujiçiq, tha se “pala kosovare nuk ka dashur ta dëgjojë prezantimin e draft-statutit”.
Vujiçiq ka thënë për gazetarët se ka përjetuar “shqetësime gjatë prezantimit”.
“Anëtarët e delegacionit të Prishtinës, Kurti e Bislimi, vazhdimisht na gjuanin kunja, nuk na linin të flisnim, ishin tallës dhe të vrazhdë, na u drejtuan me përbuzje dhe për këtë reagoi ashpër presidenti”, tha Vujiçiq raporton “RTS”.
Ajo tha se përfaqësuesve të Ekipit Menaxhues iu dhanë 30 minuta kohë për ta prezantuar draft-statutin e Asociacionit.
“Gjëja e parë që tha presidenti kur hymë në dhomë, unë dhe kolegia Beloviq, ishte: ‘Ku janë gratë e mia serbe nga Kosova e Metohia’. Ishte kaos total, pse përdoret termi Kosovë e Metohi, nuk është pjesë e Serbisë. Për dy javët e fundit ata kanë bërë shumë presion në ekipin drejtues”, tha Vujiçiq.
Vujiçiq ka thënë se Ministria e Kosovës për Vetëqeverisje Lokale i ka dërguar asaj ftesë për takim nëpërmjet Facebookut.
Ajo ka thënë se draft-statuti ishte i gatshëm në vitin 2018.
Tha se korniza që anëtarët e Ekipit Menaxhues iu përmbajtën gjatë hartimit të draft-statutit ishin katër marrëveshjet e arritura në dialog – dy në vitin 2013 e dy në vitin 2015.
Hapi tjetër, siç tha Vujiçiq, është Plani i Zbatimit.
Draft-statuti i Asociacionit i prezantuar nga Ekipi Menaxhues ka nëntë kapituj e 67 nene.