Draftstatuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga ekipi menaxhues i formuar nga qeverisjet e mëparshme, është një prej dy çështjeve që do të diskutohet në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Pak orë para nisjes së këtij takimi, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pret që Kosova ta ketë të gatshëm një draft të sajin për diskutim në kuadër të dialogut me Serbinë.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk guxon të lejojë që bazë për negociata të bëhet një draft i përpiluar nga pala e Serbisë.
“Pritjet e mia si presidente është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekipi menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra, ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”.
E në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi një takim të vështirë për të.
“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim. Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”.
Lidhur me takimin, nga opozita shprehën kritika për kryeministrin. Ish-kryeministri dhe deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, tha se Kurti po e negocion statutit e Asociacionit në Bruksel, në funksion të, siç tha, ruajtjes së pushtetit.
“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me Asociacionin të ishin pjesë e Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndoshta do t’i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktualë. Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i Qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar Asociacionin, negocimi i statutit të Asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin. Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në Marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i Asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria”.
E njohës të dialogut Kosovë-Serbisë kanë shprehur pritjen për një dakordim në Bruksel rreth deklaratës për të pagjeturit, porse jo edhe për draftin e statutit të Asociacionit.
Belgzim Kamberi, nga instituti “Musine Kokalari”, thotë se dallimet mes palëve do të ndikojnë që për çështjen vetëm të nisen negociatat.
“Kjo është vetëm një fillim i negociatave të vështira rreth draft-statutit, i cili do ta përkufizojë modelin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe unë nuk pres që të kemi një marrëveshje sot për çështjen e draft statutit por vetëm fillimin e negociatave”
E Akri Çipa, ekspert i çështjeve të Ballkanit, thotë se në aspektin e Asociacionit, Kosova në takimin e Brukselit është pala e pafavorizuar.
“Në takimin e sotëm Kosova vjen e shfavorizuar për shkak të mënyrës se si është bërë artikulimi në raport me Asociacionin, pretendimeve të Serbisë dhe fakteve që ka bindur një pjesë të partnerëve në raport me qëndrimin e saj si konstruktiv në këtë proces dhe mbi të gjitha me delegimin që ka bërë Kosova për një status të propozuar të këtij etniteti, duke ua adresuar çdo lloj përgjegjësie përfaqësuesve që nuk mishërojnë në mënyrën më të mirë të mundshme vullnetin e Republikës së Kosovës dhe të cilët mund të paraqesin statute të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikën e Kosovës”.
Në takimin në Bruksel, që është paraparë të nisë nga ora 18:00, krahas Asociacionit do të diskutohet edhe për deklaratën e përbashkët për të pagjeturit.