Arbëri

Vuçiqi për mesazhet e SHBA-së dhe të BE-së: S’janë të lehta bisedimet për Kosovën me ata që e njohin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar mesazhet që emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian kanë dhënë pas vizitave të fundit në Kosovë e Serbi, ka thënë se s’ka bisedime të lehta për Kosovën me ata që e njohin si shtet.

Për disa ditë, Kosovën dhe Serbinë e vizituan emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar. Vizitën kanë thënë se e kanë bërë për të përçuar mesazhin e koordinimit për çështjen e dialogut.

Teksa Escobari shprehte në vazhdimësi qëndrimin e SHBA-së se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, Lajçaku insistonte në “normalizim marrëdhëniesh” e shtonte se “formula evropiane nuk e përjashton asnjë rezultat”.

Pas qëndrimit në Kosovë, të dy zhvilluan takime edhe në Beograd me palën serbe. Edhe në Serbi përçuan mesazhin se ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut e se përpjekjet synojnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Të dy kërkuan nga Serbia dialog konstruktiv me Kosovën.

Ndërkaq duke i komentuar mesazhet që Escobar e Lajçak dhanë në këto vizita, Vuçiqi ka thënë se “s’ka pasur befasi të mëdha”. Megjithatë, ai i ka cilësuar jo të lehta bisedimet.

“Më kanë thënë gjithçka që e kanë deklaruar edhe publikisht. Për ne s’është e lehtë asnjë bisedë për Kosovën me ata që e njohin pavarësinë e saj dhe e vënë në pah këtë”, ka thënë ai për “Tanjug” nga Kina.

Në Kinë, Vuçiq u takua me presidentin e Kinës, Xi Jinping, për të cilin tha se është diskutuar edhe për Kosovën. “Diskutuam për çështjet strategjike, ruajtjen e integritetit territorial dhe përkrahjen e përbashkët në institucionet e organizatat ndërkombëtare – kjo është shumë e rëndësishme për shtetin tonë për shkak të Kosovës”, ka thënë Vuçiq për takimin me Jinpingun.