Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për datën 20 janar.
Në një deklarim për media në Serbi, Vuçiqi këtë e ka quajtur takim të madh.
“Ne presim dhe ju falënderojmë për faktin që delegacioni amerikan insistoi në zbatimin e marrëveshjes dhe një takim i madh na pret në datën 20 me Miroslav Lajçak. Të shohim si do të duket”, ka thënë Vuçiqi
Agjencia e lajmeve Tanjug ka raportuar se Vuçiqi ka thënë se është e qartë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet.
Por siç ka theksuar ai nuk e di se si Kosova mendon ta formojë Asociacionin në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se për çfarë kanë negociuar, pasi siç ka thënë ai, e dinë që kjo nuk mund të bëhet.
“Kur insistoni në atë që diçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e të ashtuquajturës Kosovë, atëherë shtrohet pyetje përse fare kemi negociuar dhe për çfarë në fakt negociuam. Negociatat i zhvilluam pikërisht për shkak se e dimë se kjo nuk është aspak e mundur që të arrihet në përputhje me aktet ligjore dhe legjislacionet e njërës, së dytës apo të tretës palë”, ka thënë Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ndarjes së shpërblimit për fotografinë më të mirë.
Ai ka shtuar se edhe këshilltarit amerikan, Derek Chollet, i cili ka qëndruar të enjten në Beograd, i ka përcjellë se nuk e ka të qartë se si Prishtina mendon që mbi këto parime ta themelojë Asociacionin.