LAJMET E MBRËMJES

Lajçaku bisedon me Vuçiqin për hapat drejt normalizimit, ai i ankohet për vendimin për dinarin

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka qëndruar të hënën në Serbi. Formimi i Asociacionit e mbajtja urgjente e zgjedhjeve në veri të Kosovës e s, kanë qenë kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ndaj tij. Vuçiq është ankuar sërish për provokime nga ana e Prishtinës. Ka kërkuar anulimin e vendimit të BQK-së. Pas Serbisë, Lajçaku të martën do të udhëtojë drejt Kosovës, ku pritet të takohet me zv.kryeministrin Besnik Bislimi.

Për refuzim të bisedimeve me Serbinë është akuzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga zyrtarët institucionalë në Beograd.

Në Serbi, gjatë së hënës ka qëndruar emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ku është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Pas takimit që zgjati më shumë se një orë, presidenti Vuçiq ka theksuar kërkesën për formimin e Asociacionit e mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar në katër komunat në veri të Kosovës.

“E theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, mbajtjen më urgjente të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. E ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë që të përmbushë detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Kartën së OKB-së”.

Presidenti serb po ashtu ka kërkuar anulimin e vendimit të BQK-së.

Në lidhje me takimin Lajçak-Vuçiq, në një konferencë për media, ka folur kryenegociatori i bisedimeve me Kosovën, Petar Petkoviq.

Ka thënë se me qëllim të refuzimit të bisedimeve, nga Prishtina po veprohet njëanshëm, duke aluduar kështu në rregulloren e re të BQK-së.

"Beogradi është i gatshëm të diskutojë procesin e normalizimit, politika jonë është që ne duhet të ndërtojmë paqen, të ruajmë stabilitetin para së gjithash në Kosovë, prandaj edhe në rajon. Ne do të luftojmë në mënyrë demokratike për të ruajtur popullin tonë, për të bërë gjithçka për të bërë procesin e normalizimit kuptimplotë”, theksoi Petkoviq.

Pa dhënë detaje për takimin, ka shkruar edhe emisari Lajçak.

“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

Pas Serbisë, të martën Lajçaku do të qëndrojë në Kosovë. Pasdite ai pritet të takohet me zv.kryeministrin Besnik Bislimi.